Kabul, vala e sulmeve ndaj ushtrisë, policisë e forcave amerikane shkakton 50 të vdekur

09/08/2015 00:00

Një valë sulmesh ndaj ushtrisë dhe policisë afgane, por edhe ndaj forcave speciale të Shteteve të Bashkuara në Kabul të Afganistanit, ka lënë të paktën 50 të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur, duke shuar shpresat se talebanët mund të jenë dobësuar disi prej betejës së brendshme për pushtet pas vdekjes së udhëheqësit të tyre.

Gjakderdhja nisi të premten me një kamion-bombë që shpërtheu në një periferi tepër të populluar të kryeqytetit, e që përfundoi pas një beteje disaorëshe në një bazë të përdorur nga forcat speciale amerikane. Dita e premte u kthye edhe në ditën me më shumë të vdekur në Kabul prej vitesh.

Kryengritësit islamikë morën përsipër përgjegjësinë për të dyja ngjarjet, si për sulmin ndaj Akademisë së Policisë, edhe për betejën në bazën e forcave speciale amerikane, e megjithatë jo për kamionin-bombë.

Dhuna është një përkujtuese e zymtë e vështirësive për të rigjallëruar procesin e ngecur të paqes, sidomos pas përcjelljes së një mesazhi antikompromis nga talebanët pas zbulimit gjatë javës së kaluar të vdekjes së ish-kreut Mullah Mohammad Omar, si dhe një grindjeje mes drejtuesve më të lartë të kryengritësve për të zgjedhur pasuesin e tij.

“Çështja është, kush po e dërgon këtë mesazh?”, thotë Thomas Ruttig, i Rrjetit të Analistëve Afganë. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan bëri të ditur se incidenti ishte më i keqi që prej fillimit të regjistrimit të viktimave civile në vitin 2009, për shkak se 355 civilë janë vrarë ose plagosur. Përfaqësuesi special i OKB-së, Nicholas Haysom, e quajti atë “ekstreme, të pakthyeshme dhe të pajustifikueshme në çdo drejtim”.

Ndërkaq, të shtunën, forcat e koalicionit të udhëhequr nga NATO konfirmuan se një anëtar i shërbimit ndërkombëtar dhe 8 kontraktorë afganë kishin mbetur të vdekur nga sulmi në Kampin e Integritetit, një bazë e përdorur nga forcat speciale amerikane pranë aeroportit kryesor.

Top Channel