“Spice Girls”, asnjë ribashkim…për momentin

09/08/2015 00:00

Ata që kishin shpresuar për një rikthim të mundshëm të “Spice Girls”, të nxitur edhe nga një raportim i “the Sun” se 4 prej 5 pjesëtareve të ish-grupit – që dominoi muzikën ndërkombëtare gjatë viteve ’90-2000, – mund të ribashkoheshin pa praninë e Victoria Beckham për një tur ndërkombëtar tashmë kanë mbetur të zhgënjyer.

Emma Bunton këmbënguli gjatë një shfaqjeje të sajën në një stacion radiofonik se “asgjë nuk do të ndodhë, të paktën për momentin”. Ndërkohë, gazetari Dan Wootton, i cili shkroi i pari mbi këtë histori, publikoi më pas një mesazh në Twitter, ku shpjegonte se “ende nuk pritet asnjë njoftim zyrtar deri në fund të këtij viti”.

Geri Halliwell, Melanie Brown, Melanie Chisholm and Emma Bunton u raportuan se po planifikonin një tur ribashkimi, 20 vite pas hitit të parë të tyre “Wannabe” në vitin 1996. “Nëse do të ndodhë diçka dhe do të jetë e realizueshme, apo ne do të vendosim për diçka, sigurisht që do t’iu njoftoj”, tha Bunton në emisionin radiofonik.

Shkëndijat e para të një ribashkimi të mundshëm i ka lëshuar Mel B, e cila gjatë një shfaqjeje të Jimmy Fallon tha se “ndoshta ka ardhur koha” që grupi të rikthehet i bashkuar.

Grupi i njohur “Spice Girls” – pseudonimet respektive të të cilave ishin Ginger, Posh, Baby, Scary dhe Sporty, – shiti më shumë se 75 milionë disqe, ndërkohë që ka pasur 9 këngë të renditura si numri 1 në botë, duke u bërë një fenomen kulturor gjatë viteve që sunduan skenën botërore të Pop-it gjatë viteve ’90.

Top Channel