Operacionet antikanabis, 6211 rrënjë të asgjësuara. Aksione në Shkodër, Skrapar e Vlorë

09/08/2015 00:00

Në vazhdën e luftës së Policisë së Shtetit kundër kultivimit të bimëve narkotike, Policia e Beratit ka bërë të mundur gjatë së shtunës zbulimin dhe asgjësimin e një sasie të konsiderueshme rrënjësh bimë narkotike të llojit kanabis sativa, në Berat dhe Skrapar.

Nga operacionet antikanabis janë mundur të asgjësohen 1850 rrënjë hashashi në Berat, 600 prej të cilave në fshatin Kostren 2, për të cilat ka nisur edhe një procedim penal në gjendje të lirë për 6 shtetas të identifikuar me iniciale si më poshtë, për shkak se bima narkotike ishte mbjellë në pronën e tyre.

P.F., 27 vjeç; E.F., 29 vjeç; S.F., 45 vjeç; B.F., 33 vjeç; I.F., 29 vjeç dhe D.F., 31 vjeç janë të gjithë banues në Berat, e materialet për hetimet e mëtejshme ndaj tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Beratit për veprën penale “kultivim i bimëve narkotike”.

Ndërkohë, në Skrapar janë zbuluar dhe asgjësuar 1250 rrënjë kanabis sativa, të lartësive nga 140 deri në 240 cm, të mbjella në pyllin e Karanxhës mes fshatrave Strorë dhe Orizaj. Lënda narkotike ishte mbjellë në dy parcela.

Për rastin e dytë, forcat e Policisë së Skraparit janë duke vijuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët gjithashtu priten të hetohen për të njëjtën vepër penale.

Shkodër, asgjësohen 2126 rrënjë kanabis të mbjella në 22 parcela

Edhe shërbimet e komisariateve të Policisë së Shkodrës dhe të Pukës, në vijim të operacioneve antikanabis – të shtrira në mbarë vendin për evidentimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike të mbjella, – kanë goditur me sukses disa raste gjatë së shtunës.

Në total janë asgjësuar 2126 rrënjë bimë narkotike e llojit kanabis sativa, shumica e të cilave të mbjella nëpër fshatrat e Shkodrës, ndërsa vetëm një parcelë me 124 rrënjë është zbuluar në Pukë, në vendin e quajtur “Berishë e vogël” të Iballës.

Sa i përket Shkodrës: Në fshatin Toplanë janë gjetur dhe asgjësuar 590 rrënjë hashashi, e mbjellë në 10 parcela; në Prekal 330 rrënjë të mbjella në dy parcela; në Telume 772 rrënjë të mbjella në 8 parcela; si dhe në Dush 310 rrënjë në një parcelë.

Asgjësimi i bimëve është kryer me anë të djegies, ndërkohë që një pjesë e tyre u morën në cilësinë e provës materiale. Ende nuk ka autorë të dyshuar, por forcat blu vijojmë punën për identifikimin dhe kapjen e tyre, për të cilët do të nisin hetimet nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Shkodrës për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”.

Vlorë e Delvinë, asgjësohen 985 rrënjë kanabis

Aksionit kundër kultivimit të bimëve narkotike i janë nënshtruar edhe forcat e Policisë së Vlorës, që në total kanë mundur të zbulojnë dhe më pas asgjësojnë 10 parcela me 985 rrënjë kanabis sativa, të kultivuara në Vlorë dhe Delvinë.

Sa i përket bimëve të zbuluara në Vlorë, janë djegur 6 parcela me 807 rrënjë hashashi të zbuluara në fshatin Romes, të cilat ishin mbjellë në mes të një pylli me sipërfaqe të hapur rishtazi dhe enkas për bimët që kapnin lartësinë nga 60 cm në 120 cm.

Ndërsa në Delvinë, bimët u zbuluan në fshatin Vrion, të mbjella në 4 parcela me 178 rrënjë gjithsej. Ndryshe nga rasti i Vlorës, këto bimë ishim mbjellë në mesin e pyllit me bimësi të dendur të fshatit, teksa lartësia kishte shkuar nga 80 në 202 cm.

Ende nuk ka asnjë autor të dyshuar, por Policia edhe në këtë rast po punon për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve.

Top Channel