Japoni, përkujtohet 70-vjetori i bombës bërthamore mbi Nagasaki

09/08/2015 00:00

Japonia ka shënuar 70-vjetorin e bombës bërthamore që shkatërroi qytetin e Nagasakit, me një ceremoni të përcjellë nga figurat më të larta të politikës vendase, të mbijetuar si dhe të ftuar nga 75 vende të botës.

Ata u mblodhën në Parkun e Paqes në Nagasaki si dhe mbajtën një minutë heshtjeje ekzaktësisht në orën 11:02 të paradites së kësaj të diele, kohë që përkon edhe me momentin e shpërtimit të bombës bërthamore që u hodh mbi qytet më 9 gusht të vitit 1945. Mbi 70 mijë persona mbetën të vdekur në atë kohë.

Kjo ishte bomba e dytë bërthamore e përdorur në kohë lufte, pasi e para ishte hedhur në Hiroshima 3 ditë më herët, nga ku mbetën 140 mijë banorë të vdekur dhe shumë të tjerë me pasoja në shëndet gjatë viteve në vijim.

Kryeministri Shinzo Abe tha se Japonia është i vetmi vend në botë, që ka përjetuar “horroret e një sulmi bërthamor”, gjë që nënkupton se ai do të vazhdojë të ushtrojë ndikim për një botë pa armë bërthamore.

Gjithsesi, kryebashkiaku i Nagasakit kritikoi kryeministrin Abe se po shtyn përpara një legjislacion, i cili do t’i japë mundësi ushtrisë japoneze të zgjerojë rolin e saj në Azinë Lindore. Ai shtoi se shumë japonezë janë të shqetësuar me venitjen e angazhimit të Tokios për pacifizëm që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Pas ceremonisë, fëmijët u mblodhën përreth një peme, e cila i “mbijetoi” gjithashtu sulmit e që prej atëherë është përcaktuar si një monument natyre. Bomba thuajse shkatërroi një të tretën e qytetit, duke vrarë mijëra vetë e duke lënë suhmë të tjerë nën vuajtje prej pasojave dhe sëmundjeve të shkaktuara nga rrezatimi radioaktiv.

Top Channel