Bashkia, banesat sociale jepen për 242 familje

09/08/2015 00:00

Pas katër vitesh, Bashkia e Tiranës do të shpërndajë banesat sociale të ngritura në zonën e Shkozës. Edhe pse ishin ndërtuar prej vitesh, banesat sociale kishin mbetur peng i vullnetit politik të “Parlamentit” të Tiranës, duke bërë që të majtët dhe të djathtët të përplaseshin për mosndarjen e banesave sociale.

Tashmë kjo do të marrë fund, pasi sipas gazetës ‘Shqip’, Këshilli Bashkiak do t’u japë 242 familjeve të drejtën e banimit në këto apartamente sociale. Mbledhja e parë e këshillit bashkiak, pas konstituimit, do të mbahet të enjten më 13 gusht dhe do të ketë si pjesë të rendit të ditës projektvendimin “Përzgjedhja e listës së aplikuesve, përfitues të programit të banesave sociale me qira, në zonën e Shkozës, ish-fonderia Mekanike”.

Ndërsa në rendin e ditës së mbledhjes së këshillit bashkiak janë veç ndarjes së banesave sociale dhe pesë pika të tjera, ku përfshihet dhe shpërndarja e ndihmës ekonomike dhe pagesës së Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Invalidëve për muajin korrik. “Për një shtesë dhe ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.28, ‘Për miratimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2015-2017 dhe detajimin e Buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2015′ (i ndryshuar), në zbatim të reformës së re administrative-territoriale; Për “Disa shtesa dhe ndryshime në VKB nr.3, ‘Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës’”, (i ndryshuar); Vendim; Për ‘Disa ndryshime në nivelin e pagave të punonjësve të Njësive Administrative të Tiranës’; Për ‘Miratimin e dhënies së ndihmës ekonomike dhe pagesës për PAK e Invalidët e Punës për periudhën 1-31 korrik 2015”, janë pikat e tjera të rendit të ditës së mbledhjes së parë të këshillit bashkiak.

Vendimi i plotë për banesat

Në mbështetje të nenit 7, pika 2, nenit 10, pika 3/I, shkronja “g”, nenit 33, pika 2 të ligjit nr. 8652, datë 31.07.2000 për “Organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” (i ndryshuar); nenit 3, pika 1, shkronja “a”, nenit 6, nenit 11 të ligjit nr. 9232, datë 13.05.2004 për “Programet sociale të strehimit” (i ndryshuar); pikave 1, 2, 4, 5, 7 dhe 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 260, datë 24.2.2010 për “Metodikën e llogaritjes së masës së qirasë, kur banesat sociale me qira financohen nga buxheti i shtetit ose buxheti i bashkive apo nga kombinimi i të dyjave”; VKB nr. 63, datë 08.11.2005 për “Miratimin e Komisionit të Strehimit”; VKB nr. 43, datë 20.11.2012, për “Miratimin e sistemit të pikëzimit për programin e subvencionit të familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, sistemin e pikëzimit për programin e banesave sociale me qira dhe sistemin e pikëzimit për bonusin e strehimit”; VKB nr. 33, datë 18.11.2013 për “Menaxhimin e banesave sociale me qira në kuadër të projektit “Ndërtimi i banesave me qëllim social”, në zonën e Shkozës, ish-fonderia mekanike”; VKB nr. 6, datë 30.04.2014, për “Përcaktimin e vlerës minimale e maksimale të qirasë sipas strukturave të apartamenteve dhe të vlerës minimale e maksimale të të ardhurave për përfituesit e banesave sociale me qira, në kuadër të projektit “Ndërtimi i banesave sociale me qëllim social” në zonën e Shkozës, ish-fonderi mekanike”; urdhëresës së kryetarit të bashkisë nr. 8464/1, datë 03.09.2013 mbi “Ngritjen dhe funksionimin e grupit paraseleksionues për shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumentacionit të aplikuesve, që do të përcillen në Komisionin e Strehimit, për përfitimin nga programi i banesave sociale me qira në kuadër të projektit të banesave sociale në zonën e ish-fonderisë mekanike, Shkozë”; urdhëresës së kryetarit të bashkisë nr. 8464/2, datë 05.09.2013, mbi “Procedurat të cilat duhet të ndiqen dhe dokumentacioni i nevojshëm për të përfituar nga programi i banesave sociale me qira”; urdhëresës së kryetarit të bashkisë, nr. 3189, datë 30.11.2012 mbi “Procedurat të cilat duhet të ndiqen dhe dokumentacioni i nevojshëm për të përfituar nga programi i banesave sociale me qira”; manualit të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit për “Menaxhimin e banesave sociale me qira”, me propozim të kryetarit të bashkisë, Këshilli Bashkiak vendosi: Miratimin e kontingjentit të parë të listës së aplikuesve të 242 familjeve të përzgjedhura për të përfituar, nga programi i banesave sociale në Shkozë, ish-fonderia mekanike.

Top Channel