Kosova, drejt modernizimit të sistemit energjetik me fondet IPA të BE-së

09/08/2015 00:00

Qeveria e Kosovës është duke u përpjekur të modernizojë sistemin e energjisë në vend përmes fondeve të Bashkimit Evropian.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka bërë të ditur se, Qeveria kosovare ka hartuar dokumentin planifikues sektorial për sektorin e energjisë, një dokument që do të përdoret si bazë për përgatitjen e projekteve në kuadër të programimit vjetor të fondeve nga Instrumenti i Para Anëtarësimit (IPA).

Çollaku tha se, në kuadër të përmbushjes së standardeve mjedisore, siç kërkohet nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, Qeveria ka në plan të fillojë me zbatimin e masave për mbrojtjen e mjedisit në njësitë e gjenerimit të termocentralit “Kosova B” dhe me ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga linjiti, por me teknologji bashkëkohore dhe në përputhje me direktivat e BE-së.

Përveç kësaj, Çollaku deklaroi se rritja e efiçencës së energjisë dhe përdorimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë janë me rëndësi jetike në këtë proces, i cili në Kosovë sapo ka filluar të zhvillohet.

Ai tha se projektet, të cilat do të financohen nga Bashkimi Evropian me afro 100 milionë euro, do të ndikojnë dukshëm në forcimin e sektorit të energjisë në Kosovë, si një prej prioriteteve strategjike të vendit.

Ministri i Integrimit Evropian shtoi më tej se, BE-ja do të ndajë edhe 33 milionë euro për ndërtimin e objekteve për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme, zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të transmetimit, zhvillimin e infrastrukturës së gazit natyror, rritjen e efiçencës së energjisë dhe promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe rritjen e mundësive për furnizim me energji termike e rritjen e efikasitetit operacional.

Top Channel