‘Die Welt’: Thaçi rrezikon një gjyq për krime lufte

09/08/2015 00:00

Gazeta gjermane ‘Die Welt’ publikoi të dielën një shkrim ku thuhet se zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, pas miratimit në Kuvend të themelimit të Gjykatës Speciale në Kosovë, mund të jetë mes të pandehurve për krime lufte.

Ndoshta, në fillim të vitit 2016 do të mbërrijnë aktakuzat e para. Sipas ‘Die Welt’, thuhet se Thaçi ka urdhëruar vrasjen e serbëve, romëve dhe bashkëpunëtorëve shqiptarë. Po ashtu flitet edhe për tregti organesh.

Bashkimi Evropian është vënë në lëvizje për të përmbushur detyrat që kërkohen për të funksionalizuar sa më parë Gjykatën Speciale që do të hetojë krimet e dyshuara të luftës në Kosovë.

Pasi Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore, Brukseli synon që të gjithë hapat që kërkohen prej tij t’i kompletojë deri në fillim të vitit 2016. Nga Brukseli është paralajmëruar se ndaj të dyshuarve menjëherë mund të ngrihen aktakuzat e para, të udhëhequra nga kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetuese të Bashkimit Evropian, David Schwendiman.

Top Channel