Azilkërkuesit, masa më të shtrënguara. Gjebrea: Do të ketë penalitete të forta

09/08/2015 00:00

Nga pika kufitare e Kakavijës, zv.ministrja e Brendshme Elona Gjebrea u bëri sërish apel qytetarëve, të mos bien pre e premtimeve të trafikantëve, që u premtojnë Gjermaninë, pasi ata do të kthehen të gjithë.

Gjebrea theksoi se nuk ekzistojnë mundësitë që qytetarët të përfitojnë azil. Zv.ministrja inspektoi pikën e Kakavijës, ku bashkëpunojnë me Policinë Kufitare edhe ekspertë të Policisë Federale Gjermane, me synimin për të luftuar migracionin e paligjshëm.

“Dy avionë kanë riatdhesuar disa qytetarë shqiptarë dhe do të vazhdohet më tej me riatdhesimin e të tjerëve. Po diskutohen penalitete më të forta ndaj shqiptarëve. Gjithsesi, po bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse dhe ajo që është e qartë se shqiptarët nuk kanë mundësi azili në Gjermani”, tha Gjebrea.

Zv.ministrja deklaroi se, edhe ndaj agjencive turistike janë forcuar kontrollet, ndërkohë që 4 prej tyre do të përballen me ligjin: “Nëse një person nuk ndjek rregullat e lëvizjes në vendet Shengen, Policia Kufitare është autoriteti përgjegjës që e refuzon daljen e personit”.

Vizita e Gjebreas erdhi vetëm pak ditë nga vizita e ambasadorit gjerman, Helmut Hoffmann, në Kakavijë, ku u theksua gjithashtu se nuk do të ketë azil për arsye ekonomike.

Që prej 16 korrikut të këtij viti, në Kakavijë janë vendosur 12 punonjës të Policisë Federale, të cilët mbështesin kolegët shqiptarë gjatë mbikëqyrjes dhe kontrollit në kufi, me qëllim evitimin e migracionit ilegal dhe krimit ndërkufitar.

Top Channel