Kamerat, shpëtimi i vetëm i pyjeve

09/08/2015 00:00

Një milionë euro është fatura financiare që kërkohet për të pajisur të gjitha pyjet e vendit me kamera termike të cilat xhirojnë gjatë 24 orëve. Ky sistem, i cili është aplikuar në Tiranë dhe Shkodër, identifikon dhe filmon çdokënd që pret pyjet.

“Ky sistem elektronik monitorimi, përveçse bën të mundur monitorimin e personave dhe mjeteve që hyjnë në fondin pyjor, por edhe lokalizimin dhe kapjen e tyre. Gjithashtu, ky sistem është i pajisur me kamera termike që ndihmon në lokalizimin e shpejtë të zjarreve”, thotë kryeinspektori i mjedisit, Ergys Agasi.

Kreu i Inspektoratit të Mjedisit tha se pas pilotimit në Shkodër dhe Tiranë, vetëm për dy muaj u proceduan mbi 200 individë.

“Kemi mbi 200 raste të kapura nëpërmjet këtij sistemi. Vetëm 24 prej tyre janë ndjekur penalisht, ndërsa për të tjerët janë marrë masa administrative. Me ndryshimin e ligjit në muajin shtator, të gjithë njerëzit që kapen në flagrancë duke prerë drutë në pyje, do të shkojnë automatikisht në burg”, shtoi Agasi.

Ministria e Mjedisit, vitin e ardhshëm, pritet ta shtrijë këtë sistem monitorimi në të gjithë vendin, si një formë efikase e monitorimit të pyjeve, të cilat gjatë këtyre dekadave janë shkatërruar në formë barbare.

Top Channel