Në valën e kthimit dhe penaliteteteve për azilkërkuesit nga Ballkani perëndimor, propozimi i socialdemokratëve në Gjermani për të krijuar mundësinë e punësimit legal duket se po merr mbështetje.

Sikurse raporton “Deutsche Welle’, këto sinjale pozitive vijnë edhe nga fraksioni i Unionit Kristiandemokrat. “Ne duhet të mendojmë për disa profesione ku ka mungesë punëtorësh, dhe në këtë mënyrë firmat gjermane mund të punësojnë më shumë shqiptarë apo kosovarë “, është shprehur deputeti gjerman dhe kreu i grupit të punëmarrësve në Bundestag, Peter Weiß.

Po ashtu, ministri gjerman i Integrimit të landit të Renanisë veriore u shpreh se ekziston një tjetër formë për të ndalur aplikimet e shumta për azil.

“Nëse duam të ndalim fluksin e ardhjes së azilkërkuesve, duhet të japim kontributin tonë që të ndryshojnë kushtet e jetesës në këto vende. Për shembull, duhet bërë presion që në Serbi të drejtat e njeriut të vlejnë edhe për pakicat etnike”, thotë Guntram Schneider.

Aktualisht, në Gjermani janë 20 profesione që kanë nevojë për krah pune dhe autoritetet thonë se mund ta çojnë atë deri në 50, me qëllim dhënien e mundësisë për të punuar legalisht personave nga Ballkani.

Ndërkohë, realiteti i ditëve të fundit për azilkërkuesit paraqitet i dhimbshëm. Më shumë se 90.000 personave tani u duhet të përballen edhe me sanksione ligjore, si moslejimin e hyrjes në Gjermani për një afat të caktuar. Kjo u njoftua nga presidenti i Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët, Manfred Schmidt, në një intervistë të dhënë për gazetën gjermane “Die Welt”.

Ai u shpreh se azilantëve, së bashku me refuzimin e azilit, do u ndalohet për të paktën 5 vjet edhe hyrja për në tokën aq të dëshiruar nga ta. Madje, Ministria e Brendshme gjermane ka publikuar një video, pamjet filmike të së cilës tregojnë sesi emigrantët nga Ballkani, përveçse kanë shumë pak shanse për të fituar azil në Gjermani, ata rrezikojnë të faturohen edhe për koston e kthimit.

Për kreun e zyrës së emigrantëve, madje oferta që u mendua më parë nga landet gjermane, për t’u dhënë azilkërkuesve para në dorë, ishte një ndër arsyet themelore për rritjen drastike të kërkesave për azil nga vendet ballkanike.

Top Channel