Lista Serbe reagon ndaj deklaratave të Thaçit: S’je më kryeministër

09/08/2015 00:00

Propozimi i kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, që vendet e ish-Jugosllavisë ta kenë një ditë të përbashkët për t’i përkujtuar viktimat e luftërave, ka ngjallur reagime të ashpra në Prishtinë.

Pas reagimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se nuk mund të barazohen ata që kryen gjenocid me ata që mbrojtën vendin e tyre, ka ardhur reagimi i Listës Serbe në Kosovë që është pjesë e qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa.

Përmes një komunikate për media, Lista Serbe ka shkruar se zëvendëskryeministri Thaçi është nxituar me reagimin, pasi sipas tyre, ai nuk është kryeministër i Kosovës, por Isa Mustafa.

Partneri minoritar i koalicionit qeveritar në Prishtinë, ka bërë të ditur përmes komunikatës se për idenë e kryeministrit serb ende nuk ka një qëndrim zyrtar të Qeverisë së Kosovës.

Sipas Listës Serbe, për këtë çështje do të diskutohet me kryeministrin Isa Mustafa, ndërsa deklarimet e Thaçit, sipas tyre mund t’i japin goditje të pariparueshme marrëdhënieve brenda koalicionit qeveritar.

Pavarësisht kërkesës së Listës Serbe, që në emër të Kosovës për idenë e kryeministrit serb duhet të flasë Isa Mustafa, ky i fundit ende nuk ka thënë asgjë.

Top Channel ka bërë përpjekje që të marrë një reagim nga kabineti i kryeministrit Isa Mustafa, por askush nuk ka dashur të flasë, me arsyetimin se kryeministri do të deklarohet vet në ditët e ardhshme.

Top Channel