Shpërthim te “Don Bosko”. Rrjedhja e gazit për pak shndërrohet në tragjedi, 20 të plagosur

09/08/2015 00:00

Nuk është skena e një sulmi terrorist, por shpërthimi i një bombole gazi në një nga zonat më të banuara të Tiranës dhe në orarin më me shumë lëvizje në këtë rrugë.

Rrjedhja e gazit në një pastiçeri në katin e parë të një pallati në rrugën “Don Bosko”, për pak sa nuk është shndërruar në një tragjedi, ku 20 persona raportohen të lënduar, 4 biznese të shkatërruara tërësisht dhe dhjetëra banesa të dëmtuara si pasojë e forcës së madhe të shpërthimit.

Persona të gjakosur, të djegur dhe të gjymtuar për minuta të tëra kanë qëndruar në rrugë në pritje të ambulancave, të cilat kanë vonuar për të mbërritur në vendngjarje.  Madje, vetë të plagosurit janë detyruar të telefonojnë të afërmit e tyre për të kërkuar ndihmë për t’i transportuar në spital.

Strukturat e policisë, edhe pse kanë mbërritur përpara ambulancave, përballë një situatë të tillë janë gjendur të papërgatitur për të menaxhuar emergjencën, duke transferuar të plagosurit sa nga njëra makinë në tjetrën.

Nga hetimet paraprake dyshohet se gjithçka ka nisur nga dyqani i pastiçerisë, në pronësi të Hamza Hykës, por i dhënë me qira. Dyqani, jo më shumë se 10 metra katror, ishte i vendosur në katin e parë të një pallati dhe ngjitur me të ishin 3 biznese, të cilat si pasojë e shpërthimit kanë pësuar dëme të shumta.

Rrjedhja e gazit nga një bombolë dyshohet të jetë dhe shkaku i shpërthimit të fuqishëm. Por, kjo gjë mbetet për t’u saktësuar nga grupi hetimor.

Ndërkaq, 20 persona të plagosur janë dërguar në Spitalin e Traumës dhe në Repartin e Djegieve në QSUT, ku kanë marrë ndihmën e parë, ndërsa të tjerë i janë nënshtruar dhe ndërhyrjeve kirurgjikale. Gjashtë nga të plagosurit raportohet se janë në gjendje më të rëndë si pasojë e plagëve të marra, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel