Turqi, 9 të vdekur nga vala e sulmeve. Plumba edhe konsullatës së SHBA-ve në Stamboll

10/08/2015 00:00

Dy gra kanë qëlluar në drejtim të konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Stamboll gjatë kësaj të hëne, teksa të paktën 8 persona të tjerë janë vrarë gjatë një vale sulmesh të veçuara ndaj forcave të sigurisë së Turqisë, vetëm pak javë pasi Ankaraja nisi një fushatë ushtarake ajrore ndaj Shtetit Islamik, si dhe militantëve të ekstremit të majtë përfshi edhe kurdët.

Vendi anëtar i NATO-s ka qenë në një gjendje alarmi të përshkallëzuar që prej “luftës së saj të sinkronizuar ndaj terrorizmit” të nisur muajin e kaluar, ku përfshihen sulmet ajrore ndaj luftëtarëve të Shtetit Islamik në Siri, si dhe militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në veri të Irakut. Turqia ka bastisur dhe arrestuar më pas edhe qindra militantë të dyshuar ekstremistë në territorin e saj.

Një grup ekstremistësh të majtë, që vrau një gardian turk gjatë një shpërthimi kamikaz të vitit 2013 të ndodhur në Ambasadën e SHBA-ve në Ankara, ka marrë përsipër përfshirjen në sulmin e së hënës në Stamboll.

Fronti i Ushtrisë Revolucionare për Çlirimin e Popullit (DHKP-C), i konsideruar si një organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë njëkohësisht, bëri të ditur se një prej anëtarëve të saj ishte përfshirë në sulmin e sotëm, si dhe e quajti Uashingtonin si “armikun e betuar” të popujve të Lindjes së Mesme dhe të të gjithë botës.

Policë të armatosur me automatikë rrethuan rrugët përreth konsullatës amerikane në periferinë Sariyer të pjesës europiane të Stambollit, pas sulmit të armatosur të ndodhur atje.

Sipas një dëshmitari, ishin dy gra agresore, njëra prej të cilave qëlloi 4 apo 5 plumba në drejtim të zyrtarëve të sigurisë dhe oficerëve të konsullatës. Policia i bëri thirrje asaj, që të hidhte tutje çantën që mbante në duar, por ajo i ishte përgjigjur se “nuk donte të dorëzohej”. Edhe pse policia e paralajmëroi se do ta qëllonte, agresorja nuk ishte zmbrapsur, ndaj dhe mbeti viktimë. Femra tjetër që e shoqëronte u kap më pas e plagosur, siç njoftoi zyra e guvernatorit të Stambollit.

Agjencia e lajmeve “Dogan” tha se gruaja e plagosur ishte e moshës 51-vjeçare dhe kishte qenë e burgosur, pasi dyshohej të kishte qenë anëtare e grupit ekstremist DHKP-C.

“Jemi duke bashkëpunuar me autoritetet turke për të hetuar këtë incident. Konsullata e Përgjithshme mbetet e mbyllur ndaj publikut deri në një njoftim të dytë”, deklaroi një zyrtar i konsullatës amerikane.

Ndërkohë, në anën tjetër të Stambollit, atë aziatike, një mjet i mbushur me eksplozivë u përdor për të sulmuar një stacion policor, duke plagosur 3 oficerë policie dhe 7 civilë. Njëri prej agresorëve ishte vrarë gjatë këtij incidenti, ndërsa dy të tjerë vdiqën pas shkëmbimzjarrit me policinë, që gjithashtu humbi një prej oficerëve të saj. Sipas “CNN”-it turk, oficeri ishte një zyrtar i lartë i ekipit të antieksplozivëve, i cili kishte shkuar në vendngjarje për të hetuar sulmin.

Të shtëna me armë pati gjatë mëgjensit të së hënës edhe në periferinë Sultanbeyli, në anën aziatike të kanalit të Bosforit, që ndan Stambollin në dy pjesë, pasi policia zhvilloi disa bastisje.

Edhe pse s’ka ende një grup që të ketë marrë përsipër sulmet, misionet diplomatike të SHBA-ve dhe stacionet policore janë vënë shpesh nën shënjestrën e grupeve ekstremiste të majta në Turqi gjatë së kaluarës.

Top Channel