Kinë, tajfuni Soudelor vret 21 persona

10/08/2015 00:00

Janë 21 personat që humbën jetën pasi tajfuni Soudelor u përplas në territorin e Kinës Juglindore dhe Tajvanit, bënë të ditur agjencitë zyrtare të lajmeve.

Stuhia la pas 14 të vdekur në qytetet lindore të Kinës në Uenzhu dhe Lishui, ku shirat e rënda shkaktuan rrëshqitje dheu që shkatërruan shumë banesa.

Sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, në ngushticën në Tajvan, konfirmohen edhe shtatë persona të tjerë të zhdukur. Stuhia ka arritur statusin super tajfun mbi oqean dhe erërat kanë një shpejtësi prej 290 kilometrash në orë, por gjatë goditjes në tokë, fuqia është zvogëluar duke u kthyer në një shi të rrëmbyeshëm tropikal.

Stuhia nisi të godasë provincat jugore të Kinës të shtunën në mbrëmje. 185 mijë persona janë zhvendosur me urgjencë në vende më të larta. Më herët, tajfuni goditi ishullin e Tajvanit në veri të qytetit Hualien, ku vrau shtatë persona. Pesë të tjerë konsiderohen të zhdukur dhe 402 janë plagosur në këtë vend.

Së paku, 11 800 persona janë evakuuar nga 17 qarqe dhe qytete në Tajvan që prej të enjtes. Autoritetet kanë vënë në dispozicion një personel ushtarak prej 35 mijë personash për të bërë evakuimin e banorëve të zonës.

Shirat e fortë janë shoqëruar me erëra që shkonin deri në 210 kilometra në orë.

Top Channel