PD, akuza Ramës: Po pengon konstituimin e Bashkisë së Pogradecit

10/08/2015 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar këtë të hënë “papërgjegjshmërinë ekstreme” të Edi Ramës dhe levave të tij, që mbajnë sipas saj Pogradecin në kaos, duke mos lejuar konstituimin e Këshillit Bashkiak dhe nisjen nga puna të Bashkisë.

“Përmes Peleshit dhe prefektit të Korçës, Edi Rama po hakmerret ndaj pogradecarëve që nuk votuan për të dhe ortakun e tij Meta, duke mbajtur peng Bashkinë e re”, ka deklaruar deputetja Albana Vokshi.

Sipas saj, me pretekste banale, sikur këshilltarët e majtë qenkan me pushime, janë mbyllur dyert e kësaj bashkie, e cila prej 10 muajsh është pothuajse tërësisht jofunksionale.

“Kanë kaluar tashmë 27 ditë që prefekti ka në tryezë vendimin përfundimtar të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve për këtë Bashki. Pengimi i konstituimit dhe fillimit të punës është një hakmarrje e verbër, por dhe shkelje e ligjit njëkohësisht, dhe për këtë Partia Demokratike do t’i drejtohet organeve të drejtësisë”, ka deklaruar Vokshi.

Në emër të PD, deputetja i ka bërë thirrje prefektit të Korçës që të heqë dorë nga ky “shërbim kriminal” dhe të zbatojë ligjin.

“Qytetarët e Pogradecit nuk mund të ndëshkohen, duke u mbajtur peng bashkinë dhe shërbimet. Edi Rama po vërteton tezën e tij të fushatës zgjedhore se, nëse shqiptarët nuk votonin kandidatët e tij ai do t’i linte pa ujë e pa investime. Por në realitet, ai po shkon edhe më larg, duke i lënë qytetarët që nuk e kanë votuar atë, edhe pa bashki”, ka vijuar Vokshi.

Në emër të Partisë Demokratike, ajo i ka bërë të ditur kryeministrit Rama se ai nuk është zot i vendit dhe as pronar i bashkive.

“Vullneti i qytetarëve të Pogradecit nuk mund të mbahet peng dhe nuk ka për t’u mbajtur peng nga marionetat e tij e tij Pelesh-prefekt”, ka shtuar Vokshi.

Top Channel