MotoGP Indianapolis, triumfon spanjolli Marc Marquez

10/08/2015 00:00

Marc Marquez ruan pathyeshmërinë e tij në SHBA, në Botërorin e MotoGP. Piloti spanjoll i Hondës fitoi Çmimin e Madh të Indianapolis, i treti radhazi për të në këtë sezon.

Dy herë kampioni i botës për pjesën më të madhe të kohës ishte pas Jorge Lorenzos. Ai arriti ta kalojë bashkëkombasin e tij kur kishin mbetur 3 xhiro nga fundi i garës për të marrë këtë fitore të rëndësishme.

Valentino Rossi, i cili e nisi garën nga vendi i tetë, arriti ta mbyllë atë në të tretin, duke shënuar një paraqitje vërtet fantastike dhe duke lënë në vendin e katërt Dani Pedrosën.

Kur kanë mbetur edhe 8 gara nga fundi i Botërorit të MotoGP, renditjen e përgjithshme vazhdon ta kryesojë Valentino Rossi me 195 pikë, i ndjekur në vendin e dytë nga Lorenzo me vetëm 9 pikë më pak. Marc Marquez, me këtë fitore në Indianapolis, tashmë e sheh veten në vendin e tretë, me 56 pikë më pak se Rossi.

Top Channel