Nishani i kthen Kuvendit për rishqyrtim ligjin për turizmin

10/08/2015 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Parlament ligjin për turizmin, i miratuar në fund të korrikut.

Në argumentimin e vendimit të tij, Nishani vë në dukje se nene të caktuara të këtij ligji përmbajnë pika që bien ndesh me Kushtetutën. Më konkretisht, Kreu i Shtetit kundërshton:

-Pikën 4 të nenit 31 të ligjit, që parashikon se, fondi i posaçëm për Ministrinë e Turizmit mund të përdoret pa iu nënshtruar rregullave të prokurimit publik;

-Nenin 34/2 të ligjit që përcakton se, pasuritë e paluajtshme në administrim të njësive të qeverisjes vendore që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimi turizmi, me VKM brenda 2 muajve nga miratimi i zonës kalojnë në administrim të Ministrisë përgjegjëse për turizmin;

-Pikën 3 të nenit 34, ku përcaktohet se: Këshilli i Ministrave rast pas rasti miraton me vendim të veçantë transferimin në favor të shtetit pasuritë e paluajtshme të pushtetit lokal në pronësi të njësive të qeverisjes vendore që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit.

“Një rregullim i tillë ligjor bie në kundërshtim me nenin 13 të Kushtetutës, duke cenuar parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore, mbi bazën e të cilëve duhet të funksionojë qeverisja vendore”, argumenton Nishani.

Presidenti i Republikës pretendon se, rregullimet ligjore referuar nenit 34 dhe 35 të ligjit cenojnë parimin e sigurisë juridike, pasi nuk tregohen mënyra, rregullat dhe procedurat për të vënë në dispozicion të investitorit pronën shtetërore, ndërkohë që termi “vënie në dispozicion” nuk njihet as nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë.

Top Channel