Azilantët, nënkryetari i CDU: Mos i shisni banesat, Gjermania do t’ju kthejë

10/08/2015 00:00

Në Gjermani po shtohen gjithnjë e më shumë zërat për t’i shpallur si vende të sigurta të origjinës shtetet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, pasi personat që vijnë nga këto vende përbëjnë edhe numrin më të madh të azilkërkuesve.

Një ndër ta është nënkryetari i CDU-së, Andreas Scheuer, i cili këmbëngul në përshpejtimin e procedurave të shpalljes si vende të sigurta të origjinës këto shtete.

“Në vjeshtë sidomos, shumë njerëz prej vendeve të Ballkanit do të kthehen në Gjermani. Aplikimet e tyre të deritanishme për azil jane mohuar në më shumë se 99% të rasteve dhe ende ndjehet rritja ndjeshëm e numrit të tyre”, tha Scheuer, në një intervistë për gazetën gjermane “Bild am Sontag”.

Një tjetër nënkryetar i CDU, Thomas Strobl kërkoi që t’u dërgohet një sinjal më i fortë njerëzve që shkojnë në Gjermani nga këto tre vende.

“Me gjithë respektin për vështirësitë ekonomike të kësaj popullate, kërkesa për azil është rruga më e gabuar që mund të zgjedhin. Prandaj, dua t’u dërgoj të gjithë atyre një mesazh të qartë në lidhje me azilin: Mos i shisni shtëpitë tuaja që të paguani kontrabandistët që fitojnë prej jush, duke ju premtuar gjëra që nuk janë të verteta, sepse ne do t’ju kthjemë pas dhe kur të ktheheni do të jeni duarbosh e pa shtëpi ku të fusni kokën”, ka thënë ai.

Por për kreun e Partisë së Gjelbër, Anton Hofreiter, zgjerimi i listës së vendeve të sigurta nuk ka për të sjellë ndonjë ndryshim në këtë çështje. Ai iu referua rastit të Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnjës, të shpallura si të tilla nëntë muaj më parë.

“Nga kjo gjë, deri më tani Ministria e Brendshme nuk ka vërtetuar se kemi pakësim të numrit të azilkërkuesve”, ka thënë Hofreiter.

Të gjitha palët ndërkohë e shohin heqjen e pagesës prej 143 eurosh si një mundësi zgjidhjeje. Sipas tyre, pagesa kesh në dorë e personave që vijnë nga vendet me vështirësi ekonomike mund të jetë ndjellëse.

Nga pala shqiptare ndërkohë janë shtuar masat për parandalimin e personave që largohen nga vendi. Një operacion i gjerë policor po identifikon agjencitë që i nxisin ata për të udhëtuar drejt Gjermanisë dhe, po ashtu, në pikat kufitare është shtuar prania e forcave të rendit për kontrollin e atyre që dalin nga këto pika.

Top Channel