Zjarr në një parking, digjen tre autobusë në Rrushkull të Durrësit

10/08/2015 00:00

Një zjarr që dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm ka djegur tre automjete në një parking në Rrushkull të Durrësit.

Sipas policisë, zjarri ka rënë në të gdhirë të së hënës, dhe si pasojë e tij janë djegur tre autobusë, tip “Benz”, me targat AA367DI, AA625EY, dhe AA133FO, në pronësi të 45-vjeçarit F.A., banues në Rrushkull. Autobusët e djegur i përkisnin linjës Rrushkull-Durrës.

Zjarrëfikësja e mbërritur në vendin e ngjarjes ka mundësuar fikjen e zjarrit dhe ka parandaluar përhapjen e tij tek automjetet e tjera në parking. Për fat, janë shënuar vetëm dëme materiale.

Policia shtoi se një grup hetimor po punon për zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit, që nga të dhënat e para rezulton të jetë i dyshimtë.

Top Channel