Serbët, protestë për lirimin e Ivanoviçit. EULEX e akuzon për krime lufte

10/08/2015 00:00

Dhjetëra serbë të Mitrovicës së Veriut dhe të vendbanimeve të tjera në Kosovë u mblodhën të hënën në mesditë para selisë qendrore të EULEX-it, në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të politikanit serb Oliver Ivanoviç, i cili po gjykohet për krime të kryera ndaj shqiptarëve në Mitrovicë.

Familjarë dhe bashkëpunëtorë të Ivanoviçit akuzuan EULEX-in se po bën një balancim akuzash, duke akuzuar serbët për krime lufte në kohën e formimit të Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë shqiptarët për të njëjtat krime.

“Fajtori kryesor për ne është EULEX-i. Ne kërkojmë prej tyre të respektojnë të drejtat e njeriut, sepse këtu ka shkelje të të drejtave të njeriut. Një njeri, i cili është absolutisht i pafajshëm, është burgosur.ai njeri që është përshëndetur edhe nga shqiptarët në rrugë. Ja ku më keni edhe mua, që i respektoj shqiptarët”, tha Miroslav Ivanoviç, vëllai i Oliver Ivanoviçit.

“Oliver Ivanoviçin e mbajnë në burg për shkak të formimit të Gjykatës Speciale, duke bërë një balancim të rremë çështjesh, duke mos pasur asnjë bazë. Pikërisht kundër kësaj barazpeshe dhe kundër këtij gjykimi etnik, ne jemi mbledhur sot këtu dhe duam t’i dërgojmë mesazh EULEX-it, që ai njeri nuk mundet të jetë i burgosur politik, për shkak të asaj që shohim asaj që dimë nga burimet e brendshme. Kjo është me shumë rëndësi, sepse nuk mund të jetojmë duke qenë të burgosur politikë. Ky qytet dhe qytetarët e tij e dinë mirë se do të mblidhemi në protesta dhe demonstrata, sa herë të vihet në diskutim padrejtësia”, tha Zivojin Rakoceviç, gazetar serb.

Mbishkrimet në gjuhën serbe të protestuesve, si “politikisht i burgosur”, “drejtësi po, politizim jo”, që u vendosën para selisë së EULEX-it në Prishtinë, sipas zyrtarëve të partisë së Oliver Ivanoviçit do të shumohen në protestat e ardhshme, nëse misioni europian nuk e liron udhëheqësin e tyre.

“Ftojmë EULEX-in t’i lexojë sot të gjitha këto pamflete nga Mitrovica, këtu në Prishtinë. Këtu nuk ka absolutisht drejtësi, e këta protestues nuk janë këtu për atë çfarë kanë ardhur. Ai njeri është i pafajshëm. Oliveri ka humbur për 3 ditë më shumë se 3 kilogramë nga pesha e tij, sepse nuk e ka të mirë gjendjen shëndetësore”, tha Ksenija Bozoviç, zyrtare e partisë së Oliver Ivanoviçit.

Kjo ishte protesta e parë e serbëve e mbajtur në Prishtinë, që nga paslufta, ndërsa për të kërkuar lirimin e Ivanoviçit, të hënën serbët kanë protestuar edhe në pjesën veriore të Mitrovicës. Oliver Ivanoviç dhe 4 të pandehur të tjerë serbë akuzohen se kanë kryer krime lufte ndaj shqiptarëve, gjatë luftës së viteve 1999 dhe 2000.

Top Channel