Kosovë, mashtron gardianët; arratiset i dënuari për vrasje. “Arrest shtëpie” për oficerët

10/08/2015 00:00

Një i dënuar për vrasje në Kosovë ka arritur t’i shpëtojë mbikëqyrjes së gardianëve, të cilët e kishin shoqëruar atë gjatë vizitës në familjen e tij në Prizren, duke u arratisur.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur të dielën, rreth orës 16:00. Sipas policisë, i arratisuri ka mashtruar gardianët, duke u thënë se donte të hynte në tualet, e më pas ka arritur të kapërcejë murin e oborrit.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, Policia ka ndaluar të hënën 3 shtetas të Kosovës – H. F., A. S. dhe I. H., – që të 3 oficerë korrektues pranë Qendrës së Paraburgimit në Prizren, me dyshimin se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, duke lejuar të burgosurin M. K. të arratisej nga burgu.

Sipas Prokurorisë, oficerët e dyshuar nuk i kanë përfillur rekomandimet, sipas të cilave në shoqërimin e të dënuarit të asistojnë edhe pjesëtarë të njësisë së Policisë, e rrjedhimisht kanë ndihmuar të dënuarin M. K. që të arratisej.

Prokurori i çështjes ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit, ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prizren u ka caktuar masën e “arrestit shtëpiak” të 3 të dyshuarve të sipërpërmendur.

Ndërkohë, policia është vënë në kërkim të të arratisurit, por deri më tani nuk ka informacione për vendndodhjen e tij.

Top Channel