Azili ekonomik në BE, abuziv. Merepeza: S’ka penalitete nëse kthehen vullnetarisht

10/08/2015 00:00

Problemi me azilkërkuesit ka bërë që drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të nisin një fushatë të përditshme në pikat e kalimit kufitar.

Një ditë pasi zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea u ndal në Kakavijë, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Kufirin dhe Migracionin, Genc Merepeza është ndalur në Portin e Vlorës, nga ku ka bërë apel për kthim vullnetar në atdhe.

“Shtetasit shqiptarë, të cilët do të kthehen në mënyrë vullnetare nga këto vende do të trajtohen – dhe janë trajtuar për hir të së vërtetës, – si qytetarë të thjeshtë që po kthehen nga një udhëtim kthimi nga vendet e BE-së në Shqipëri, teksa kalimi i tyre bëhet në terminalin e pasagjerëve. Rrjedhim i kësaj është mospenalizimi i tyre me ndalimin 5-vjeçar për të dalë drejt vendeve të BE-së”, tha Genc Merepeza.

Merepeza është ndalur edhe tek azili ekonomik, duke saktësuar se një term i tillë nuk njihet dhe as pranohet nga vendet e BE-së.

“Ai është një azil inekzistent. Asnjë shtet i Europës nuk e njeh si term, e jo më të japin azil. Kërkesa për azil në këtë mënyrë, siç e bëjnë shqiptarët, përbën një abuzim dhe ata janë të destinuar të gjithë të kthehen në Shqipëri. Kthimi i tyre ka vazhduar thuajse gjatë gjithë vitit, janë rreth 13 mijë shtetas që janë kthyer brenda 2015-s”, tha më tej Merepeza.

Sipas zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për Kufirin e Migracionin, gjatë ditëve në vijim priten të vijnë edhe 5 avionë me shtetas shqiptarë nga Gjermania.

Top Channel