Vitamina D, mungesa e saj i bën keq edhe zemrës

10/08/2015 00:00

Një studim me perspektivë i publikuar në revistën ‘Medicine’ dhe i kryer në Qendrën Kardiologjike Monzino me mbi 814 pacientë të shtruar nga infarkti mikrokardiak, konfirmon lidhjen mes vitaminës D dhe gjendjes së shëndetit: jo vetëm se mungesa e saj lidhet me rrezikun e lartë e infarktit në zemër, por përkeqëson edhe rezultatet dhe pasojat.

“Ne kemi zbuluar se 80% e pacientëve që kanë pësuar infarkt në zemër paraqesin një deficit, total ose të pjesshëm të vitaminës D. Gjithashtu zbuluam se ata që kanë vlera më të ulëta zhvillojnë një progresion më të keq të sëmundjes me kalimin e kohës, një rritje të rrezikut të vdekshmërisë dhe më shumë komplikacione klinike pas një viti shtrimi në spital”, thotë Giancarlo Marenzi, përgjegjësi i Terapisë Intensive Kardiologjike të Monzinos dhe koordinatori i studimit.

Organizmi ynë prodhon vitaminë D nga ushqimet dhe nga ekspozimi i lëkurës në rrezet e diellit, por sasia e saj në gjak varet nga shumë faktorë: jo vetëm nga koha e kaluar në diell, por edhe nga albumina e pranishme në gjak, nga ngjyra e lëkurës, nga stina dhe nga vendbanimi.

“Është parë se, – vazhdon Marenzi – ekziston një marrëdhënie mes niveleve të kësaj vitamine dhe shëndetit të zemrës: infarktet, për shembull, ndodhin më shpesh gjatë muajve të dimrit se sa gjatë atyre të verës dhe se incidenca e tyre në popullsi rritet nga Ekuadori në Polin e Veriut. Nga këtu lind dhe hipoteza nëse ekziston një lidhje me vitaminën D, e cila aktivizohet nga dielli. Dhe të dhënat e mbledhura demonstrojnë ekzistencën e kësaj lidhjeje”.

Për një zemër të shëndetshme mjaftojnë dhjetë minuta në ditë

“Mjaftojnë dhjetë minuta në ditë për t’u ekspozuar në diell, sidomos në muajt e verës për t’i mundësuar organizmit prodhimin dhe “magazinimin’ e vitaminës D”, shpjegon Monica De Metrio, kardiologe e Qendrës Kardiologjike Monzino dhe njëkohësisht iniciatoria e parë e studimit.

Vitamina D prodhohet 80% nga lëkura, ndërsa 20% vjen nga ushqimet me të cilat ushqehemi e të cilat gjenden veçanërisht në mëlçinë e gjedhëve, te peshku (merluci), vezët, djathi por edhe te qumështi e drithërat. Por megjithatë, nuk duhet ta ekzagjeroni. Roli i dobishëm që vitamina D luan në shëndetin e kockave, njihet prej kohësh, por tashmë roli i saj po vihet re edhe te marrëdhënia me disa forma të kancerit, sëmundjet infektive, dhe sidomos kardiovaskulare.

“Vitamina D mund të bëhet një komponent për parandalimin dhe trajtimin e infarktit. Megjithatë mbetet për t’u qartësuar nëse kjo vitaminë është një shkaktar i infarktit apo një faktor i parandalimit të tij”.

Tek njerëzit vitamina D është unike për shkak se ajo funksionon si një prohormone dhe për shkak se gjatë ekspozimit të diellit, trupi mund të sintetizojë atë (si vitamina D3).

Tek fëmijët, mungesa e vitaminës D shkakton rakitizëm, i cili rezulton në deformim të kockave. Studimet shkencore tregojnë edhe një lidhje midis mungesës së vitaminës D dhe obezitetit (shëndoshjes) tek fëmijët. Tek të rriturit mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë osteomalacinë, e cila shkakton deformimin e kockave dhe dobësimin e muskujve.

Top Channel