ISUV: Mielli doli i pastër. Nuk konstatohen gjurmë të sëmundjes së patates

10/08/2015 00:00

Kreu i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Ardian Xinxo ka deklaruar se analizat e marra në disa mostra mielli dhe buke në vend nuk kanë gjetur prani të bakterit Bacillus Subtilis, i cili është shkaktar i prishjes së bukës, ndërsa tek konsumatorët sjell çrregullime të traktit tretës.

Pas shqetësimeve mbi shfaqjen e asaj që në gjuhën popullore njihet si “sëmundja e papates” në produktet e miellit dhe bukës, AKU kishte kërkuar nga ISUV kryerjen e analizave mikro-biologjike për dhjetëra mostra përfaqësuese.

“Janë analizuar 47 mostra të marra në rrethet Durrës, Elbasan, Fier e Gjirokastër. Janë marrë nga eksporti në Itali e Turqi 22 mostra buke dhe 25 mielli. Në mënyrë absolute nuk mund të thuash që askund nuk ekziston rreziku, por, mbështetur në këtë monitorim, rezultati është negativ”, ka deklaruar Xinxo.

Kreu i ISUV ka shtuar se analizat do të vazhdojnë për mostra të tjera të ardhura nga inspektorët e AKU-së, për praninë e shkaktarit dhe tregues të tjerë të cilësisë së bukës dhe miellit.

Top Channel