Hetimet e policisë: Shpërthimi tek “Don Bosko”, i paralajmëruar

10/08/2015 00:00

Pas shpërthimit të së dielës, ku mbetën të plagosur 18 persona, Prokuroria e Tiranes ka nisur hetimet nën dyshimin se pronari i pastiçerisë nga ku u konstatua vatra e ngjarjes ka shkelur rregullat e sigurimit teknik, me pasojë rrezikimin e jetës së banorëve.

Burimet thanë se aktualisht pritet që akt-ekspertimi i policisë shkencore të vërtetojë dyshimet se si është provokuar shpërthimi i bombolës së gazit në rrugën “Don Bosko”, ndërkohë që në bazë të dëshmive të marra nga prokurorja e çështjes, Afërdita Ndoji, rezulton se pronari i pastiçerisë, Abdullah Dervishi, ka tentuar të rregullojë valvulën, çka ka sjellë edhe rrjedhjen e gazit. Më tej, situata ka dalë jashtë kontrollit.

Për grupin e hetimit, nëse akt-ekspertimi e vërteton këtë, atëherë i moshuari, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital, ka shkelur kushtet teknike, pasi sapo konstatohet një problem me bombolën, rregullorja thotë se ai duhet të kërkonte ndihmën e distributorëve.

Nga ana e tyre, biznesmenët që u janë dëmtuar pronat nga shpërthimi i fuqishëm shprehen jashtë kamerës se ata i kishin vënë në dijeni autoritetet për rrezikun që paraqitej në pastiçeri, një herë më datë 15 qershor dhe së fundmi, më 18 korrik. Tani ata kërkojnë dëmshpërblim.

“Nuk e di si do të veprohet në këtë rast. Presim të vijnë ekspertët dhe të vlerësojmë dëmet. Unë personalisht nuk e kam ngritur si shqetësim, por pronari i palestrës po”, thotë Lotar Hidri, pronar i një dyqani.

Vendngjarja vijon të mbetet e rrethuar me shirita policie, pasi ende nuk ka përfunduar ekspertiza dhe llogaritja e dëmeve. Ajo çfarë ka mbetur nga shpërthimi ngjall edhe kureshtjen e kalimtarëve.

Ndërkohë, nga 18 të lënduarit, shumica e tyre kanë marrë mjekimin dhe kanë lënë ambjentet spitalore. Në Spitalin e Traumës mbahet në reanimacion shtetasi Kujtim Cani, ndërkohë që të tjerët janë jashtë rrezikut.

“Aktualisht janë 4 të shtruar në spitalin tonë, 10 kanë marrë ndihmën mjekësore dhe janë dërguar në shtëpi, ndërsa 4 të tjerë pas mjekimeve janë transferuar tek spitali i djegieve. Nga 4 të shtruarit, njëri është në reanimacion me plagë në trup. Të tjerët janë jashtë rrezikut dhe presim që së shpejti të dalin”, deklaron Arben Zeneli, nëndrejtor i Spitalit të Traumës.

Fadil Tuzi është njëri nga qytetarët që mbeti i plagosur aty. “Isha duke pirë kafe, kur ndjeva që po rridhte gaz. Pastaj plasi. Pronari ishte aty”, thotë ai. Ndërkohë, katër të plagosur të tjerë, mes të cilëve edhe pronari i pastiçerisë, ndodhet në repartin e djegieve.

Top Channel