Kosovë, Mustafa zbret në tokat bujqësore të Gjakovës. Premton mbështetje

10/08/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, dhe nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, kanë vizituar tokat bujqësore në komunën e Gjakovës, si dhe kompaninë rajonale të ujitjes “Radoniqi-Dukagjini”.

Kreu i Qeverisë u njoftua me sfidat e fermerëve rreth ujitjes së tokave bujqësore, ndërsa premtoi përkushtim në dyfishimin e kapacitetit aktual të ujitjes. Mustafa dhe ministrat e kabinetit të tij panë nga afër sesi shkon procesi i ujitjes së tokave bujqësore, e sidomos u interesua të mësojë për rendimentet që po arrijnë fermerët e kësaj zone.

“Ne si qeveri kemi përcaktuar që t’i japim prioritet, le të themi mbi prioritetet e tjera, zhvillimit të bujqësisë dhe sektorit në tërësi. Orientimi ynë është të zgjerojmë sistemin e ujitjes, së paku ta bëjmë dyfish apo trefish me atë që kemi aktualisht, në mënyrë që të rrisim si numrin e kulturave që vilen gjatë vitit në bujqësi, por edhe rendimentet, sepse të gjitha analizat tregojnë se ato mund të dyfishohen apo trefishohen, për çka ne do të arrijmë të ulim importin e produkteve bujqësore. Duam gjithashtu të rrisim eksportin dhe ta fuqizojmë atë, të rrisim industrinë përpunuese të këtyre produkteve dhe të përmirësojmë bilancin tregtar dhe punësimin, sepse e kemi mundësi për të rritur dukshëm numrin e të punësuarve në bujqësi”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kreu i Qeverisë foli në Gjakovë edhe për grantet dhe subvencionet, që shteti po i rrit vit pas viti në bujqësi, ndërsa theksoi se qeveria do të rrisë kapacitetin e ujitjes nga sistemi i Radoniqit, i cili aktualisht mbulon rreth 5 mijë hektarë me ujitje.

Top Channel