Prishtina: Pala serbe zvarrit qëllimisht kërkimet për të pagjeturit

10/08/2015 00:00

Prishtina zyrtare akuzon palën serbe për zvarritje të qëllimshme të kërkimeve, në një vendndodhje në territorin e Serbisë, ku dyshohet të jetë një varrezë masive.

Bëhet fjalë për fshatin Kozarevë, në afërsi të Novi Pazarit, ku sipas Komisionit qeveritar për të Pagjeturit ka dyshime se kanë përfunduar trupat e dhjetëra shqiptarëve të vrarë në luftë.

Kryetari i këtij komisioni, Prenkë Gjetaj tha se, gjatë gërmimeve të datës 7 gusht, autoritetet serbe kanë lënë punën përgjysmë pa ndonjë paralajmërim dhe arsye të qartë. Për më tepër, sipas tij, gërmimet janë bërë në vendin e gabuar.

“Në mënyrë të menjëhershme dhe tërësisht të njëanshme, zv.prokurori i kësaj çështjeje tërhiqet, ndërsa ata që kryejnë punimet thonë nuk do të vazhdojnë më. Përfunduan me kaq gërmimet. Kur kam shkuar për t’u kërkuar shpjegime, më kanë thënë se unë kam tejkaluar urdhrin e gjyqit”, tha Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për të Pagjeturit.

Kritik, jo vetëm për palën serbe, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, ishte edhe anëtari tjetër i komisionit, Bajram Qerkini, i cili kërkon njëkohësisht të mësohet fati i djalit të tij të zhdukur në luftë.

“Edhe ju ndërkombëtarë keni faj. Zhbogari na ka premtuar se do të përforcohen ekipet, por ato janë dobësuar”, tha Bajram Qerkini, anëtar i Komisionit qeveritar për të Pagjeturit.

Kosova numëron ende 1650 persona, fati i të cilëve nuk dihet. Në nderim të atyre që ende mungojnë dhe që kërkohen, komisioni qeveritar është duke përgatitur axhendën me aktivitete për ditën ndërkombëtare për personat e pagjetur, më 30 gusht.

Kryetari i komisionit tha se, përveç aktiviteteve në sheshin kryesor të Prishtinës, janë planifikuar edhe dy vizita në zonat, ku forcat serbe kanë kryer masakra. Për fatin e shumë viktimave ende nuk dihet gjë, as sot.

Top Channel