Ushtria e fëmijëve në Rusi. Të miturit trajnohen si të luftojnë dhe të përdorin armët

11/08/2015 00:00

Në një qyteze të vogël në dalje të Shën Pjetërburgut, një grup fëmijësh po përgatiten për t’i shërbyer ushtarakisht vendit të tyre, Rusisë. Ata janë të gjithë të moshës 5 deri në 17-vjeç.

Mësimi tashmë i kthyer në rutinë nis në orën shtatë të mëngjesit , ku të miturit trajnohen sesi të luftojnë dhe të përdorin armët.  Ndërsa disa të tjerë marrin klasa shtesë për të mësuar përdorimin e artilerisë më të rëndë ushtarake. Në mesin e tyre ka edhe vajza.

Organizatorët thonë se ata nuk përgatisin thjesht fëmijë për luftë,pasi siç shprehet njëri prej tyre “luftëtar i vërtetë nuk është ai i cili ka një armë në duar dhe di ta përdorë, por luftëtar është ai që sakrifikon vetën për të mbrojtur besimin e tij, të dashurit e tij dhe sigurisht atdheun e tij”.

Por, qendra e Shën Pjetërburgut nuk është e vetmja në llojin e saj. Mijëra klube si ajo janë përhapur në të gjithë Rusinë, të cilat së bashku formojnë një pjesë integrale të nismës mbarëkombëtare për “arsimin ushtarako-patriotik të popullsisë”.

Kjo iniciative e ndërmarrë nga qeveria do të marrë peshë me të madhe në vitet në vijim, pasi mendohet që shërbimi ushtarak të bëhet i detyrueshëm. Projekti ka një kosto të madhe financiare, e po ashtu ka një qellim të qartë.

Qeveria po i mbështet shumë kohët e fundit Forcat e Armatosura për shkak të konfliktit në Ukrainën Lindore , dhe ndaj e vlerëson programin e ri të propozuar nga Ministria e Arsimit. 

Një nga synimet e para afatgjata është që të rritet me 10% numri i fëmijëve si pjesë e Ushtrisë Ruse, e po ashtu të ketë një rritje me 8% të rusëve që ndihen krenar për vendin e tyre. 

Thuajse një muaj më parë, Presidenti rus Vladimir Putin preu shiritin e një lloj parku të veçantë “Disneyland”-i , i cili ka hapur dyert për vizitorët. Në vend të lojërave nga më të ndryshmet, aty fëmijët mund të prekin nga afër granatat dhe artileri të rëndë.

Ky park i mirëpret turistët me thënien: “Mirë se vini në parkun patriotik i cili do të jetë qejf për ju dhe familjen tuaj!”.

Top Channel