SHBA-Kubë, vjen krisja e parë pas pajtimit. Shtëpia e Bardhë reagon pas disa arrestimeve në Havana

11/08/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur thellësisht të shqetësuara për arrestimin e disidentëve në Kubë, por kjo nuk do të ndikojë asgjë në agjendën e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, i cili ka planifikuar një vizitë në Havana.

Një grup me 90 aktivistë që kishin vënë edhe maskat me fytyrën e Presidentit Barack Obama, të cilët po marshonin të dielën në Havana, janë arrestuar për pak kohë. Ky grup disidentësh kishte në radhët e veta gra të të burgosurve politikë të cilat po kërkonin lirimin e bashkëshortëve të tyre.

Të gjithë ishin lënë të lirë pas katër orësh e gjysmë, por arrestimi nuk i ka pëlqyer aspak Shtëpisë së Bardhë, të cilët përmes zëdhënësit Jon Kirby kanë reaguar.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga ndalimi i disa aktivistëve paqësorë nga autoritetet kubane. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtën e grumbullimeve paqësore dhe lirinë e shprehjes”, është shprehur Kirby.

Megjithatë, kjo nuk do të ndikojë asgjë në vizitën e Sekretarit John Kerry, të planifikuar pas tre ditësh, më 14 gusht.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kubës dhe SHBA-ve ka ngjallur një zemërim tek disa aktivistë në Kubë, të cilët i kanë kërkuar Presidentit Obama që t’i bëjë më shumë presion liderit komunist, Raul Castro që të lirojë të burgosurit politikë.

Top Channel