Nigeri, Presidenti Buhari emëron Komisionin Anti-Korrupsion

11/08/2015 00:00

Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari ka ngritur një komision për ta këshilluar atë se si të luftojë korrupsionin, por edhe të bëjë sugjerime për reformën në sistemin ligjor.

Komisioni Anti-Korrupsion përbëhet nga shtatë anëtarë, kryesisht akademikë. Buhari erdhi në pushtet në maj me premtimin për të larguar korrupsionin.

Ai ka thënë se vetëm gjatë dekadës së kaluar, zyrtarë qeveritarë kanë vjedhur nga buxheti i shtetit rreth 150 miliardë dollarë.

“Detyra e komisionit është që të udhëzojë administratën në luftën ndaj korrupsionit dhe reformave të kërkuara në sistemin e drejtësisë kriminale të Nigerisë”, është shprehur zëdhënësi presidencial, Femi Adesina.

Në një takim me Presidentin Barack Obama muajin e kaluar, Presidenti nigerian Buhari i kërkoi ndihmë homologut amerikan për të kthyer paratë e vjedhura të ish-zyrtarëve, pasi ai beson se gjenden në llogari në disa banka të huaja.

Top Channel