Japonia rindez reaktorin e parë bërthamor që pas Fukushimës. Shpërthejnë protestat

11/08/2015 00:00

Japonia ka rindezur reaktorin e parë nuklear që pas katastrofës së Fukushimës në vitin 2011. Që nga ky aksident, shteti aziatik kishte ndalur punën në të gjitha impiantet nukleare në vend.

Por, pasi kanë kaluar të gjitha testet e reja të sigurisë, “Kyushu Electric Power” ka rindezur të martën në mëngjes reaktorin e parë në impiantin e Sendait.

Operatorët energjetikë japonezë kanë kërkuar që të rindizen 25 reaktorë, pavarësisht kundërshtimit të madh që vjen nga opinioni publik.

Reaktori numër 1 në Sendai ka filluar të operojë në orën 10:30 me kohën lokale, ndërsa pritet që të fillojë me prodhimin e energjisë të premten. Puna me kapacitete të plota pritet të fillojë muajin e ardhshëm.

Kryeministri Shinzo Abe u shpreh të hënën se qeveria kishte vendosur për të rindezur reaktorët, pasi ishin kaluar të gjitha testet e sigurisë. Ai ka garantuar qytetarët se siguria e tyre është vendosur para çdo interesi tjetër.

Megjithatë, fjalët e kryeministrit nuk kanë qenë të mjaftueshme, pasi menjëherë kanë shpërthyer protestat para impiantit në Sendai. Qytetarët kanë frikë nga një katastrofë e njëjtë sikurse e Fukushimës, prandaj vazhdojnë të kundërshtojnë rindezjen e impianteve.

Sipas mediave ndërkombëtare, vetëm për sistemin e sigurisë në impiantin e Sedanit janë shpenzuar mbi 100 milionë dollarë.

Top Channel