Turqi, Erdogan: Do vijojmë sulmet ndaj ISIS dhe kurdëve

11/08/2015 00:00

Në valën e sulmeve në Turqi, vetë presidenti Recep Taip Erdogan ka dhënë sinjalin se operacionet ushtarake të Ankarasë zyrtare do të vijojnë kundrejt ISIS dhe partisë kurde, PKK.

Ky mesazh vjen pikërisht në ditën e takimit të jashtëzakonshëm të NATO-s, kërkuar nga vetë Turqia.

“Procesi i paqes me komunistët kurdë nuk mund të ecë përpara nëse ata vazhdojnë sulmet kundër unitetit kombëtar”, ka deklaruar Erdogan.

Pasditen e së dielës, avionët turq F-16 bombarduan tre pozicione të kurdëve dhe partisë komuniste në juglindje të vendit, në provincën e Sirnak.

Gjithashtu, televizioni shtetëror turk njoftoi se avionë ushtarakë kishin qëlluar trupa të ISIS përtej kufirit me Sirinë, në fshatin sirian Havar, duke shkatërruar gjithçka. Në sulmet e ndërmarra kanë humbur jetën 35 xhihadistë.

Nga ana tjetër, forcat turke të sigurisë kanë nisur një operacion antiterrorizëm në Stamboll dhe në 16 provinca të tjera të vendit, duke bërë të mundur arrestimin e 297 personave, 37 prej të cilëve janë të huaj që i përkasin grupeve terroriste.

Policia e ka ndërmarrë sulmin e ndihmuar edhe nga helikopterët e ushtrisë dhe sipas një komunikate të qeverisë, ka pasur si qëllim xhihadistët, anëtarët e PKK dhe grupime të tjera terroriste.

Top Channel