Konstituimi i Bashkisë së Pogradecit, vendoset data 15 gusht

11/08/2015 00:00

Një ditë pas akuzave dhe kundërakuzave të shkëmbyera mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, konstituimi i Këshillit Bashkiak të Pogradecit ka marrë zgjidhje.

Prefekti i Korçës, Ardit Konomi deklaroi se është vendosur data 15 gusht për mbledhjen dhe konstituimin e këshillit të ri. Ai i cilësoi si të pabaza akuzat e opozitës, shprehur një ditë më parë nga deputetja, Albana Vokshi.

Sipas Konomit, listat e këshilltarëve janë certifikuar nga KQZ në datën 5 të këtij muaji, çka përbën edhe shkakun e vonesës.

Vokshi akuzoi mazhorancën se po zbarrit enkas, si formë ndëshkimi për qytetarët e Pogradecit për votën e tyre dhënë kandidatit të opozitës në zgjedhjet e 21 qershorit.

LSI hodhi poshtë këto pretendime. Kreu i grupit parlamentar të kësaj force politike deklaroi se problemi është fiktiv dhe e cilësoi reagimin e Partisë Demokratike si emocional.

Bashkia e Pogradecit, një bastion i majtë prej disa mandatesh, në zgjedhjet e 21 qershorit votoi për kandidatin e së djathtës Eduard Kapri, duke thyer diferencën e thellë të shënuar në zgjedhjet e mëparshme.

Top Channel