Hyseni: Nuk jemi imunë ndaj terrorizmit. 100 kosovarë luftojnë përkrah grupeve terroriste

11/08/2015 00:00

Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni deklaroi se, rreth 100 shtetas të Kosovës ndodhen në Siri dhe Irak, ndërsa rreth 40 të tjerë janë vrarë në luftimet përkrah organizatave terroriste në vatrat e luftës.

Këto të dhëna, ai i bëri publike në një konferencë për mediat, ku foli për situatën e sigurisë në Kosovë. Hyseni mohoi se autoritetet e sigurisë kanë informacione për sulme të mundshme terroriste, por njëkohësisht tha se Kosova nuk mund të jetë imune ndaj terrorizmit.

“Kosova nuk zotëron asnjë informacion të besueshëm për ndonjë rrezik të pashmangshëm, mirëpo sillet sikur të kishte informacione të tilla. Ka informacione të besueshme për rreziqe të mundshme ndaj dhe nuk duam të zihemi në befasi, e shpresojmë që nuk do të zihemi në befasi. Numri i përafërt i atyre që janë në Siri dhe Irak janë 100, ndërsa i atyre që deklarohen të vrarë janë 40”, tha Skënder Hyseni, ministër i Brendshëm i Kosovës.

Këto shifra, sipas ministrit Hyseni, nuk kanë pësuar ndryshime në dy muajt e fundit, duke shtuar se autoritetet janë vazhdimisht në përcjellje të situatës. Në këtë drejtim, ai vlerësoi lart punën e forcave të rendit. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, ai sqaroi arsyet e patrullimit të policëve me jelekë antiplumb.

“Le të themi se nuk kemi informacione se vendi rrezikohet këto ditë, por po sillemi sikur të jemi vazhdimisht në rrezik, sepse nuk jemi imunë, ashtu sikurse pjesa tjetër e botës që nuk është imune. Nëse rrezikohet Franca apo Belgjika, as Kosova nuk mund të jetë imune. Por ne po flasim për aq sa kemi informacion dhe po sillemi sikur të kemi informacion. Prandaj kemi vendosur në qarkullim policë me jelekë antiplumb, janë veprime parandaluese”, tha Skënder Hyseni.

Ministri Hyseni nuk pranoi të komentojë mbi rezultatet hetimore për shtetasit e arrestuar pranë liqenit të Badovcit, të cilëve u janë gjetur flamuj të ISIS-it dhe armë të ndryshme. Po kështu, Hyseni mohoi informacionet se, ka pasur kërcënime për sulme terroriste me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 korrik.

Që nga viti 2013, autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë ndërmarrë një varg aktivitetesh kundër terrorizmit. Aktualisht, dhjetëra raste të kësaj natyre janë në duart e prokurorëve kosovarë, ndërsa vetëm në muajin korrik, afër liqenit të Badovcit janë arrestuar 5 persona, të dyshuar për përfshirje në vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin.

* Në këtë konferencë për mediat, ministri i Brendshëm kosovar foli edhe për rolin e Policisë së Kosovës pas krijimit të Gjykatës Speciale dhe funksionalizimit të saj. Ai tha se, policia do të zbatojë çdo urdhër të prokurorëve, kur është fjala për arrestimin e figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hyseni shtoi se, Policisë së Kosovës nuk i lejohet të komentojë urdhrat e prokurorëve, përveç se t’i zbatojë ato sipas ligjit dhe detyrës zyrtare.

Top Channel