Sezoni turistik, zona e Golemit e kthyer në moçal

11/08/2015 00:00

Pushuesit e një blloku pallatesh në Golem të Durrësit, edhe në këtë sezon turistik po bashkëjetojnë me plehrat dhe një vatër ujore infeksioni të krijuar në katin përdhes të një pallati.

I destinuar për parkim automjetesh dhe i lënë në mëshirë të fatit, ambjenti në fjalë është kthyer në një vendgrumbullim ujërash të zeza dhe mbetjeve urbane. Banorë dhe pushues ankohen se askush nuk vë dorë dhe shprehen se ndihen të rrezikuar nga epidemitë.

Aroma e rëndë e ujërave të zeza, mushkonjat dhe bretkosat janë shoqëruese të pushimeve në këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut, që me pak angazhim mund të ndryshojë.

Ky moçal në mes të zonës turistike të Golemit është kthyer në shqetësim edhe për fëmijët. “Këto aroma na bëjnë të sëmuremi e të marrim ilaçe”, thotë një prej tyre.

Më parë pjesë e komunës së Golemit, tashmë kjo zonë i ka kaluar në administrim Bashkisë së re të Durrësit, por situata vazhdon e njëjtë.

Pas banjove të ujit e të rërës, pushuesit kthehen në një ambjent që kutërbon nga ujërat e zeza të dala në sipërfaqe dhe mbetjet urbane të hedhura vend e pavend.

Ndërsa netët nuk mund të jenë të qeta pasi shoqërohen nga mushkonjat dhe kori i bretkosave që gjallojnë në këto ujëra të ndenjura.

Top Channel