Azili, apeli i ambasadës gjermane: Do ktheheni dhe shpenzimet do i paguani vetë

11/08/2015 00:00

Ambasada gjermane ka përsëritur sërish këtë të martë se në Gjermani nuk ka azil ekonomik, të gjithë do të kthehen dhe se shpenzimet e kthimit, të cilat janë më të mëdha se ndihma që marrin azilkërkuesit në Gjermani, do të paguhen nga vetë ata.

Për ta bërë më konkrete këtë thirrje, ambasada ka publikuar një e-mail të ardhur në adresë të saj më 6 gusht nga një familje shqiptare që kanë shkuar në Gjermani për të kërkuar azil, ku këta të fundit, të zhgënjyer nga gjendja me të cilën u përballën, ndryshe nga ç’kishin dëgjuar, kërkojnë ndihmë për t’u rikthyer në Shqipëri.

“Përshëndetje, ne jemi një familje shqiptare. Para disa ditësh mbërritëm në Gjermani dhe aplikuam për azil në Mynih (München). Tre ditë më pas u transferuam në Wisenberg. Këtu po shohim se gjërat nuk janë ashtu si na thoshin të tjerët kur ishim në Shqipëri. Duam të kthehemi përsëri në vendin tonë pasi kemi dy fëmijë të mitur dhe një grua të moshuar, të cilët qajnë gjithë ditën. Administrata e azilit këtu na thotë se duhet të presim katër javë dhe duhet të paguajmë vetë biletat e kthimit. Por ne i kemi shpenzuar të gjitha paratë për të ardhur këtu dhe ndërkohë nuk kemi marrë para ndihmë. Ajo çka duam është vetëm të kthehemi në Shqipëri. Ju lutem na ndihmoni!”

Përmes njoftimit për shtyp ambasada gjermane bën me dije se këtë javë, ditën e mërkurë dhe të enjte do të mbërrijnë nga Gjermania në vendin tonë 2 avionë charter me azilkërkues shqiptarë.

“Të mërkurën, më 12.08.2015, ora 15.50 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” nga Kasseli (Hessen) një avion charter me një numër prej 70 shqiptarësh të dëbuar.

Të enjten, më 13.08.2015, ora 13:00 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë një tjetër avion charter me një numër prej 125 persona, të cilët do të kthehen vullnetarisht”, thuhet ne njoftimin e ambasades.

Top Channel