Ish-Sanatoriumi, tani edhe për probleme kardiake, infektive, etj.

11/08/2015 00:00

Spitali univeristar “Shefqet Ndroqi”, i njohur ndryshe si Sanatoriumi i Tiranës, orfon shërbime shëndetësore për të gjithë sëmundshmërinë dhe jo vetëm për probleme të mushkërive, siç ka funksionuar deri pak kohë më parë.

Tanimë, pacientët me probleme kardiake, gatsro-intenstinale, infektive apo ata që kanë nevojë për skaner dhe kirurgji të përgjithshme nuk kanë pse mbajnë radhë në QSUT, e cila është e mbingarkuar, por mund të marrin shërbim të specializuar nga mjekët e ish-Sanatoriumit.

“Spitali ynë po merr përmasat e një QSUT-je të vogël. Kjo do të thotë se këtu bëhen konsulta jo vetëm për sëmundjet e mushkërive, por edhe për ato kardiovaskulare, hematologjike, të veshkave, etj. Për 6-mujorin e parë të 2015-s, numri i konsultave është rritur me 78 për qind. Ministria e Shëndetësisë ka marrë të gjitha masat që në shtator të fillojë edhe shërbimi i kardiologjisë”, deklaron profesor-doktor Perlat Kapisyzi, drejtor i spitalit.

Në këtë spital, në shërbimin e kardiologjisë, pacientët do të mund të kryjenë koronarografi dhe vendosjen e stendave. Investimet e bëra me të ardhura dytësore të spitalit kanë ndryshuar tërësisht pamjen e tij, që lidhet jo vetëm me ambjentet, por edhe me performancën e personelit mjekësor dhe infermieror.

“Investimet këtu janë bërë kryesisht në urgjencë, tek konsultat dhe në hollin e parë të hyrjes së pacientëve dhe vizitorëve. Është aprovuar gjithashtu një fond për investime në aparatura dhe për fazën e tretë të ndërtimit të shtesës së spitalit”, nënvizon drejtor Kapisyzi.

Brenda vitit 2016 do të vihen në funksion edhe ambjentet e reja të spitalit “Shefqet Ndroqi”, çka do të rrisë dhe kapacitetet e shtrimit për pacientët. Ndërkohë, nga testimi i bërë nga Ministria e Shëndetësisë, infermierët e këtij spitali dolen me rezultatet më të mira ndër katër shërbimet univeristare.

Sipas drejtorit Kapisyzi, që prej një viti në këtë spital zhvillohen orë të posaçme për infermierët, me tema nga më të ndryshmet për shërbimin ndaj pacientëve.

Top Channel