Shpërthimi tek “Don Bosko”, në spital masa e sigurisë për pronarin

11/08/2015 00:00

67-vjeçari Abdulla Dervishi, i cili po trajtohet në repartin e djegie-plastikes, do të njihet me masën e sigurisë për veprat penale “shkelje të rregullave të sigurimit teknik, me pasojë rrezikimin e jetës së qytetarëve” dhe “shkatërrim prone”.

Për te moshuarin, burime të organit të akuzës pohuan se seanca do të zhvillohet në spital dhe për të do të kërkohet nga prokuroria masa “arrest me burg”, me argumentin se në vendngjarje nga shpërthimi i bombolës mbetën të plagosur 18 persona.

Kjo vepër, sipas prokurorisë, parashikon më shumë se 5 vjet burg, por do të jetë gjyqtari i gatshëm Agron Zhukri që do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo këtë kërkesë, për shkak se, sipas ligjit, një i dyshuar kur është në gjendje të rëndë shëndetësore nuk mund të dërgohet në paraburgim.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes, në rrugën “Don Bosko”, pronarët e bizneseve të dëmtuara kanë filluar pastrimin e zonës. Xhevat Shima është një ndër ata biznesmenë që prej tre vitesh negocionte për largimin e bombolave të gazit, pasi i konsideronte të rrezikshme.

Në përfundim, kur nuk ia ka dalë mbanë të gjejë një gjuhë të përbashkët, ai i është drejtuar bashkisë dhe policisë. “Djali e ka bërë denoncimin, por s’e ka çarë kokën njeri. Shyqyr që shpëtoi djali, se ishte me kokën në thes”, shprehet Shima.

Edhe Mexhit Himaku është një ndër ata denoncues. Nga shpërthimi i bombolës atij i mbeti i plagosur i biri.

“Shkova në rajonin numër 3 dhe bëmë denoncimin për këtë çështje. Ai na sillte shumë shqetësime. Ne s’e dinim që ai kishte edhe 5 bombola të tjera brenda. Më pas u bë ballafaqimi dhe u vendos të hiqeshin bombolat dhe të pastrohej vendi, por nuk u bë asgjë. Bëmë denoncim edhe tek komisariati dixhital, në bashki, por sërish asgjë s’u bë derisa ndodhi hataja”, thotë Himaku.

Shumica e të lënduarve i kanë lënë ambjentet mjekësore, ndërkohë që në Spitalin Ushtarak vijojnë të kurohen Kujtim Cani dhe Fadil Tuzi, gjendja e të cilëve është jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel