Sigurimi në rast aksidentesh, kompanitë: Të jetë i detyrueshëm edhe ndaj palëve të treta

11/08/2015 00:00

Pas ngjarjes së të dielës, ku u plagosën 18 kalimtarë të rastit, punonjës të pastiçerisë ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm, si dhe u dëmtuan mjaft ndërtesa përreth, të lënduarit kërkuan dëmshpërblim.

Kompanitë e sigurimit thonë se, në rastet si ai i “Don Boskos”, biznesi duhet të kishte kryer sigurimin e punonjësve në rast aksidentesh, ashtu sikurse sigurimin e përgjegjësive ndaj palëve të treta.

“Qeveria e dikurshme, para 10 vitesh, ka nxjerrë një vendim qeverie për punëtorët e institucioneve dhe ndërmarrjeve me rrezikshmëri të lartë, siç janë minierat, por nuk ka nxjerrë asnjë akt ligjor dhe nënligjor, që t’i bëjë të detyrueshme të gjitha bizneset e hoteleritë, për sigurimin e aksidenteve të punonjësve në punë dhe pastaj për produktin e dytë, sigurimin e përgjegjësive ndaj palëve të treta”, tha Kadri Morina, president i “Eurosig”.

Në këtë pikë, zoti Morina sqaron ndryshimin me sigurinë mbi pronën, që është vullnetar, si dhe thekson nevojën e ndërhyrjes ligjore në industrinë e sigurimeve, duke bërë të detyrueshme – siç shprehet ai, – sigurimin ndaj palëve të treta, si kusht për licencimin e aktivitetit nga bizneset individuale deri te koorporatat e mëdha.

“Si mund të vijnë disa turistë të huaj në Sarandë, Durrës, Velipojë etj., dhe të hyjnë në një hotel të pasiguruar dhe në një moment bie zjarr. Çfarë do të bëhet me ata turistë të huaj? Nga psikologjia e tyre perëndimore, ata do të shkojnë të kërkojnë sigurimin te hoteli, ku s’ka si e kërkon, sepse ai nuk është i siguruar. Me këtë dua të them se nuk duhet të ngatërrohet sigurimi i pronës personale, me sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta, që duhet i detyrueshëm sa më parë”, tha Kadri Morina.

Ivan Matoviç, nga “Evasan Travel Insurance”, sjell eksperiencën e Zvicrës në këtë aspekt.

“Ka një rregullore, që thekson se përgjegjësia ndaj palëve të treta është e detyrueshme. Për shembull, nëse dyshemeja është e lagur dhe një nga personat që qëndron në hotel rrëzohet. Po ashtu, në Zvicër, nëse merr me qira një shtëpi apo jeton në një shtëpi, përveç mbrojtjes ndaj zjarrit, duhet të kesh edhe përgjegjësinë ndaj palëve të treta, që të mbron në raste përmbytjeje. Si për shembull kur makina larëse përmbyt të gjithë ndërtesën. Në Zvicër, përgjegjësia ndaj palëve të treta shtrihet si në aspektin profesional, ashtu dhe në atë të jetës private”, tha Ivan Matoviç, CFO, “Evasan Travel Insurance”.

Top Channel