Mundja rrezikon Botërorin. Ministria bllokon fondin, federata e hedh në gjyq

11/08/2015 00:00

Mosnjohja e organeve të reja drejtuese dhe mosmiratimi i fondit Grant nga Ministria e Sporteve për Federatën e Mundjes, përveçse rrezikon pjesëmarrjen e Shqipërisë në Botërorin e shtatorit në SHBA, rrezikon edhe përjashtimin pa afat të federatës sonë nga çdo aktivitet ndërkombëtar.

Martin Biba, president i Federatës Shqiptare të Mundjes, shprehet: “Është një urdhër që pengon pjesëmarrjen e federatës sonë në aktivitetet kryesore. Këto janë aktivitete pjesëmarrja në të cilat është planifikuar dhe miratuar nga vetë zonja Nikolla”.

Zgjedhjet e zhvilluara në fund të majit janë njohur nga ndërkombëtarët, ndërkohë që presidenti Biba pohon se nuk do të lejojë dhunimin e pavarësisë së kësaj federate: “Është një masë administrative që është marrë pa u dëgjuar fare federata jonë. Ky urdhër e bën inekzistent federatën nga ana financiare. E kemi ankimuar në Gjykatën e Apelit Administrativ. Vendimet që merren natën nuk i shërbejnë sportit”.

Trajneri dhe ish-mundësi Sait Prizreni thotë: “Më keq se kaq, nuk ka ku të shkojë. I bëj thirrje ministres që të lejojë mundjen të vazhdojë rrugën e saj sepse mundja është e mundësve. Ne jemi këtu për të treguar që nuk do të lejojmë askënd të tallet me ne”.

Presidenti Biba në fund shtoi se pavarësisht pengesave të Ministrisë së Sporteve, Federata e Mundjes do të bëjë të pamundurën që të përfaqësohet me 3 mundës në Botërorin e Amerikës, një aktivitet kualifikues për Lojrat Olimpike “Brazil 2016”.

Sportistët të cilët pritet të marrin pjesë në Botëror do të jenë 3 kampionët Islam Islamaj, Vilson Ndregjoni dhe Egzon Shala. Ky i fundit, falë mbështetjes së kompanisë Digitalb, po stërvitet për këtë aktivitet në Bullgari.

Top Channel