Kosova vijon konsultat për anëtarësimin në UNESCO

11/08/2015 00:00

Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi është takuar këtë të martë me ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare të Kuintit në Kosovë, në vazhdën e konsultimeve gjithëpërfshirëse rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, si dhe në organizma të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Përmes një komunikate të lëshuar nga MPJ-ja bëhet e ditur se, gjatë takimit është diskutuar lidhur me sfidat dhe strategjitë e përbashkëta të komunikimit, nevojën që Republika e Kosovës të vazhdojë të respektojë standardet më të larta të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, si dhe aspekte të tjera teknike të procesit të anëtarësimit.

“Ambasadorët e Kuintit konfirmuan mbështetjen e tyre të plotë ndaj Kosovës, në përpjekjet e saj për anëtarësim në UNESCO. Javën që shkoi, zëvendëskryeministri e njëherazi ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u ka dërguar letra 195 homologëve të shteteve anëtare të UNESCO-s, për t’i informuar rreth mbarëvajtjes së procesit dhe për të kërkuar votën e tyre në takimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, që do të zhvillojë punimet në tetor, si dhe në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, në nëntor të këtij viti”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Kohë më parë, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO, ndërsa pritet të përmbyllë aplikimin në disa organizma të tjera të rëndësishme shumëpalëshe deri në fund të këtij viti.

Top Channel