“Summer Fest” ndez Vlorën

11/08/2015 00:00

“Summer Fest” ka ndezur mbrëmjen e së hënës atmosferën në qytetin e Vlorës. Artistë e këngëtarë interpretuan në shfaqjen tashmë të kthyer në traditë.

Të shumtë ishin banorët e Vlorës, por edhe turistët që ndodhen këto ditë në qytetin bregdetar, që kanë ndjekur interpretimet dhe spektaklin.

Me mijëra kanë qenë ata që e kanë ndjekur eventin, jo vetëm muzikor, të mbajtur në zonën e Skelës.

“Kam qenë edhe para dy vitesh për 28 Nëntorin në një koncert me përmasa më të vogla dhe publiku i Vlorës më pëlqen shumë. Për atë muzikë që bëj unë, më duket shumë mirë. E ndiej energjinë pozitive të tyre”, u shpreh kantautori Bojken Lako, një prej pjesëmarrësve në këtë edicion të “Summer Fest”.

“Kjo është hera e parë që marr pjesë në ‘Summer Fest’, këtu në Vlorë madje edhe në Shqipëri, ku kam ardhur të këndoj ‘live’, sepse unë banoj në Holandë dhe ky është koncerti i parë për të cilin kam ardhur në Shqipëri. Jam shumë i emocionuar dhe është një kënaqësi shumë e madhe, Shpresoj të vij sa më shpesh”, tha Jon Tarifa.

“U ndieva mirë në ‘Summer Fest’ sepse jam pranë njerëzve me të cilët punoj përditë, por edhe në Vlorë, sepse ky qytet ka një publik të jashtëzakonshëm. Gjithmonë e ka dashur artin dhe spektaklin, teksa brohoritjet e shumta e tregojnë këtë, ndaj dhe jam shumë e kënaqur”, deklaroi Eneda Tarifa, këngëtare, prezantuese e “Portokalli”.

“Po ndihem shumë mirë dhe shumë e lumtur që do të këndoj përpara publikut vlonjat. Janë shumë të ngrohtë, të dashur, më kanë pritur me duartrokitje prapa skenës kur kam mbërritur. Shoh shumë fansa të mi këtu, ndaj dhe jam shumë e lumtur”, tha Genta Ismaili, këngëtare nga Kosova.

Spektakli i prezantuar nga motrat Marina e Luana Vjollca ka vijuar deri vonë, duke gjallëruar gjithë qytetin e Vlorës, të mbushur në këtë sezon me turistë të shumtë.

Top Channel