Shkup, nëna vjedh majmunin nga kopshti zoologjik…

11/08/2015 00:00

Në Shkup vidhet shumëçka, por mbase për here të parë ka ndodhur vjedhja e një majmuni nga kopshti zoologjik i kryeqytetit të Maqedonisë.

Mediat thonë se autore e vjedhjes është një nënë 26-vjeçare nga Kavadari, e cila ka pohuar se vajza e saj ka qarë aq shumë pas majmunit, sa asaj nuk i ka mbetur rrugë tjetër përpos ta vjedhë atë për të qetësuar të bijën.

Sipas mediave, për të realizuar vjedhjen, nëna ka kërkuar ndihmën e një miku të saj. Të dy bashkë ata kanë shkuar në Shkup për ta vjedhur majmunin e quajtur Lluka.

Pasi kanë prerë rrethinën e kafazit, ata e kanë marrë kafshën dhe e kanë futur në një qese të zezë. Jashtë kopshtit zoologjik i ka pritur një taksi, me të cilën menjëherë janë nisur në drejtim të Kavadarit.

Por policia i ka pritur në hyrje të këtij qyteti dhe i ka arrestuar para se nëna e kujdesshme të arrinte t’ia çonte majmunin vajzës së vet. Nënën në fjalë dhe mikun i saj tani i pretë akuza për vjedhje të rëndë.

“Fat për këtë nënë që vajza e saj nuk ka qarë pas ndonjë luani apo elefanti, sepse pasojat do të kishin qenë shumë më të rënda”, kanë komentuar disa media maqedonase.

Top Channel