Tiranë, Prokuroria nis hetimin e lejeve të ndërtimit të dhëna nga Basha

11/08/2015 00:00

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për lejet e ndërtimit të dhëna nga ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Organi i akuzës ka nisur verifikimin e të gjitha dokumentacioneve për lejet e dhëna nga Basha, gjatë periudhës Qershor 2013 – Korrik 2014.

Ky hetim ka nisur pas kallëzimit të bërë nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit. Mësohet se, grupi hetimor ka depozituar në Bashkinë e Tiranës kërkesën për hetimin e lejeve të ndërtimit, në të cilën Prokuroria thekson se është duke verifikuar shkeljet për mosrespektimin e procedurave për miratimin e planeve të detajuara vendore në 129 raste.

Më tej, organi i akuzës shpjegon se, hetimet po kryhen për mosrespektim të kërkesave ligjore për dhënien e lejeve të ndërtimit, mosushtrim të kontrollit të territorit në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës.

Gjatë fushatës, kryebashkiaku aktual Erion Veliaj premtoi se do të bënte auditin e të gjitha lejeve të ndërtimit të dhëna nga paraardhësi i tij.

Top Channel