Përvjetori i Havzi Nelës, poetit që u ekzekutua me varje në 1988-n. E veja: PD më harroi!

11/08/2015 00:00

Kanë kaluar 27 vite nga ekzekutimi me varje në litar i heroit të demokracisë, poetit disident Havzi Nela, dhe ende nuk është ngritur busti i shumëpremtuar nga të gjithë qeveritarët, në sheshin që mban emrin e tij.

27 vite më parë, më 10 gusht 1988, në Kukës u ekzekutua Havzi Nela, i dënuar me vdekje nga një trupë gjykatësish komunistë, në muajt e fundit para se regjimi të shembej.

“Sot është vërtet 10 gusht, por unë ende nuk jetoj në paqe e me dinjitet në liri, siç e kishim menduar dhe kërkuar të shtrenjtën dhe të shenjtën liri dhe demokraci. Kam bërë burg, kam qenë e internuar dhe asgjë nuk më kanë vlerësuar, më shumë këta të Partisë Demokratike. Kam tërë jetën që kam punuar dhe kontribuar shumë për PD-në, por asnjëherë nuk u kujtuan të vijnë e të shohin se ku jeton bashkëshortja e poetit”, u shpreh Lavdie Nela.

Bashkëvuajtësja e poetit, ajo që i qëndroi afër atij në të gjitha tentativat për arratisje, thotë se tashmë ka ardhur koha që dosjet të hapen, e të dalin në dritë të gjithë ata që ishin spiunë të sistemit komunist, duke vënë kështu në vend drejtësinë.

“Kam kërkuar shumë përgjatë këtyre 27 viteve. S’kam pushuar së kërkuari të ngrihet një përmendore në vendin ku është varur poeti”, deklaroi më tej bashkëshortja e ve e poetit të ekzekutuar.

Poeti Havzi Nela u burgos në vitin 1987 dhe më 10 gusht të vitit 1988 u var në qendër të qytetit të Kukësit. Havzi Nelës i janë akorduar titujt “Martir i Demokracisë” dhe “Nderi i Kombit”.

Top Channel