Nuk mjaftojnë ushqimet, Rusia gati të ndalojë edhe lulet nga Holanda

11/08/2015 00:00

Vetëm një javë pasi irritoi një pjesë të madhe të popullsisë me vendimin për të shkatërruar në doganë produktet ushqimore të importuara ilegalisht nga Perëndimi, autoritetet ruse kanë nisur të hedhin mes flakëve të zjarrit edhe lulet holandeze.

Zyrtarët thonë se lulet e importuara nga Holanda, e cila zë një peshë të konsiderueshme në importet prej 2,5 miliardë dollarësh të luleve në tregjet ruse, paraqesin rrezik për sigurinë e konsumatorëve, për shkak se ato mund të jenë të infektuara.

Kritikët thonë se “lufta e luleve” shënon një pikë të re të ulët në marrëdhëniet me Perëndimin dhe vjen në shenjë hakmarrjeje të Moskës për shkak të hetimeve holandeze mbi rrëzimin e avionit malajzian mbi zonën lindore të Ukrainës, të kontrolluar prej rebelëve prorusë në korrik të vitit të kaluar.

E megjithatë, cilido që të jetë shkaku, qytetarët e zakonshëm rusë të cilët aktualisht po vuajnë nga papunësia dhe inflacioni, mund të presin një rritje të pajustifikueshme të çmimeve të luleve në javët e ardhshme, sidomos kur të rritet kërkesa për to teksa fëmijët do të fillojnë vitin e ri shkollor, pasi është traditë që në ditën e parë të shkollës nxënësit u dhurojnë lule mësuesve të tyre.

“Këto janë lule të sapoprera nga Holanda, të infektuara me insekte tipike lulesh nga Kalifornia perëndimore”, tha inspektorja sanitare e kompanisë mbikëqyrëse të agrikulturave “Rosselkhoznadzor”, Yekaterina Slakova, e cila fliste për mediat teksa kamera fokusonte punonjës që digjnin kutitë e mbushur me trëndafila.

Autoritetet ruse janë duke konsideruar edhe ndalimin e importit të luleve nga Holanda, e cila dërgon rreth 5 për qind të sasisë së saj të përgjithshme të shitjeve vetëm në Rusi. “Na duhet vetëm të kontrollojmë çdo dërgesë të luleve”, tha zëdhënësi i “Rosselkhoznadzor”, Alexei Alexeyenko.

Top Channel