Studimi gjerman: Azilantë prej kushteve të jetesës

11/08/2015 00:00

Thuajse disa javë përpara se të mbahet samiti në Gjermani për çështjen e azilkërkuesve, Zyra Federale për Emigracionin atje ka hartuar një studim, që fokusohet tek popujt e Ballkanit Perëndimor.

Studimi, i cili pritet të përdoret si një orientim për autoritetet më të larta gjermane dhe krerët e landeve, shpjegon rritjen e katërfishuar të kërkesave për azil nga rajoni i Ballkanit. Në trajtën e një profili të aplikantëve, ky raport tregon se edhe pse Shqipëria, Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi janë politikisht, ligjërisht, ekonomikisht dhe etnikisht shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, ato kanë një emërues të përbashkët: prirjen për emigracion.

Vendet e Ballkanit Perëndimor që prej viteve 1960 kosiderohen si shtete të origjinës për shumë emigrantë të shpërndarë në botë. Vite më parë, lëvizja e tyre nxitej nga konfliktet e armatosura e ndërsa tani, vëren raporti, banorët e Ballkanit perëndimor zgjedhin të punojnë në Itali, Zvicër, Greqi dhe në Gjermani, për shkak se ndjehen të pakënaqur në vendet respektive.

Por, siç shpjegon Zyra Federale, kohët e fundit shumë ekuilibra në vendet që i presin kanë ndryshuar dhe tani prirja është që aplikantët nga Ballkani Perëndimor të marrin përgjigje refuzuese për kërkesën e tyre. Një nga arsyet kryesore të refuzimit është se azilantët nga Ballkani nuk kanë nevojë të pajisen me status mbrojtjeje. Ajo çka e shkaktoi dyndjen e tyre në Gjermani nuk është gjë tjetër veçse standardi i ulët i jetesës dhe margjinalizimi social.

Zyrtarët gjermanë vërejnë se sfidat që i përkasin qeverive të rajonit tonë janë çështjet e pronësisë, strehimi, tregu i punës dhe arsimi. Ndër të tjera ata shtojnë se politikat e migracionit të Ballkanit Perëndimor duhet të hartohen në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe vetë këto vende duhet të marrin masat përkatëse për të frenuar numrin e shtetasve që largohen në kërkim të një jete më të mirë.

Top Channel