Gjermani, bie avioni luftarak amerikan; piloti shpëton në kohë

11/08/2015 00:00

Një avion luftarak F16 i Shteteve të Bashkuara është rrëzuar mbi një pyll në jug të Gjermanisë, gjatë një fluturimi stërvitor të së martës, por për fat të mirë pa shkaktuar viktima, pasi piloti mundi të dilte nga kabina në kohë.

Lajmi konfirmohet nga zyrtarë të policisë gjermane dhe nga ata të Forcave Ajrore të SHBA-ve.

Aksidenti ajror ka ndodhur rreth orës 9:38 të mëngjesit pranë Engelmannsreuth, në veri të shtetit të Bavarisë, tha një zëdhënës i krahut të 52-të luftarak në bazën ajrore të Spangdahlem, pranë Trierit.

Piloti mundi të dalë në mënyrë të sigurt nga kabina, teksa hodhi mbi një zonë të papulluar edhe fuçitë e karburantit. Avioni F16 ishte i ngarkuar me 11 kg municione luftarake për praktikantë dhe jo municione që përdoren në raste sulmesh ajrore.

Policia rajonale gjermane tha se piloti u gjet nga një kalimtar i rastit në pyll dhe është duke marrë mjekimet e nevojshme për shkak të dëmtimeve të lehta. Përplasja, shkaku i së cilës është ende nën hetim, ndodhi gjatë një fluturimi trajnues jashtë garnizonit ushtarak amerikan në Grafenwoehr të Bavarisë.

Top Channel