Barcelona fiton Superkupën e Europës. Mposht Sevillan 5-4

11/08/2015 00:00

Barcelona ka fituar Superkupën e Europës. Katalanasit fituan përballë kampionit të Ligës së Europës, Sevillas me rezultat 5-4.

Në të vërtetë u deshën shtesat dy herë nga 15 minuta pasi në 90 minuta rezultati ishte i barabartë 4-4.

Skuadra e Luis Enriques ishte duke fituar me rezultat 4-1 deri 20 minuta para se të përfundonte koha e rregullt, por Sevilla arriti të barazonte në 4-4 nëntë minuta para përfundimit.

Në minutën e 115, Pedro shënon golin e pestë dhe të fitores për Barçën, duke i dhënë një tjetër trofe katalanasve.

Të parët në epërsi kaluan Sevilla, në minutën e 3 me Banegan, ndërsa Messi me në të 7-n dhe 16-n përmbysi rezultatin përmes dy gjuajtjeve të lira. Para përfundimit të pjesës së parë, Barça shënoi edhe golin e tretë me Rafinhan.

Me të filluar pjesa e dytë, Luis Suarez shënoi golin e katërt. Askush nuk e besonte se Sevilla deri në fund do të barazonte. Por, Reyes, Gameiro dhe Konoplyanka refuzuan të dorëzoheshin duke arritur barazimin në 90 minuta.

Top Channel