Kili, burg për 14 ushtarakë uruguajanë dhe kilianë. Vranë ish-agjentin e regjimit

12/08/2015 00:00

Gjykata e Lartë e Kilit ka burgosur 14 ushtarakë uruguajanë dhe kilianë për rrëmbimin dhe vrasjen e njërit prej agjentëve kryesorë të regjimit të diktatorit Pinochet, Eugenio Berrios.

Pas rënies së diktaturës së Augusto Pinochet-it, Berrios kishte udhëtuar në Uruguaj, ku u gjend i vdekur në një plazh me shenja plumbash në kokë në vitin 1995.

Gjykata arriti të vërtetojë përfshirjen e ushtarakëve në një plan për të eliminuar Berrios, pasi kishin frikë se mos agjenti do të bënte publike disa nga sekretet më të errëta të regjimit.

Gjykata e Lartë la në fuqi dënimet e një gjykate më të ulët në hierarki të vitit 2010 për tre ushtarakët uruguajan në pension dhe 11 kilianëve. Dënimet e tyre shkojnë nga 5 deri në 20 vite.

Mendohet se vrasja e Berrios ishte e fundit në kuadër të operacionit “Kondor”, që u ngrit si një operacion i përbashkët i diktatorëve të Amerikës së Jugut për të eliminuar kundërshtarët.

Berrios ishte kimist, i cili mbikëqyri prodhimin e gazit sarin dhe armëve të tjera kimike për regjimin Pinochet, në mënyrë që ato të përdoren ndaj kundërshtarëve.

Top Channel